Gënjeshtra mbi Covid-in që izoloi Australinë e Jugut

20/11/2020 15:29

Australia e Jugut shkoi në izolim vetëm për shkak të një gënjeshtre.

Në zemër të problemit qëndron punonjësi i një picerie, i cili nuk tregoi të vërtetën se kishte punuar atje me turne, por tha se thjesht kishte shkuar të blinte një picë. Personi ishte i prekur nga Covid-19 dhe nga pretendimet e tij se kishte qëndruar shumë pak kohë në dyqan, autoritetet supozuan se shtami duhet të kishte qenë tmerrësisht infektues dhe me një periudhë shumë të shkurtër inkubacioni, derisa kishte pasur një efekt të tillë mbi individin në fjalë.

Kryeministri i Australisë Jugore, Steven Marshall njoftoi se pasi u zbulua e vërteta, bllokimi i rreptë gjashtëditor i rajonit do të hiqej më herët nga sa pritej, sepse virusi rezultoi të mos ishte aq ngjitës sa u mendua fillimisht. Australia është mbështetur te karantinat masive, testimet në shkallë të gjerë dhe një gjurmim agresiv i kontakteve për të luftuar përhapjen e pandemisë.

Përpjekjet e saj rezultuan të suksesshme pasi i çuan rastet ditore të infeksionit thuajse në zero, megjithatë qeveria australiane nuk ka hequr dorë nga thirrjet për kujdes dhe respektim të masave, me qëllim shmangien e një shpërthimi të ri të koronavirusit.

Top Channel