Deliu: Hoti të kërkojë nga BE të distancohet nga fshehja e krimit dhe politikës luftënxitëse të Serbisë

19/11/2020 13:38

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që publikisht t’i kërkojë Bashkimit Evropian që të distancohet nga mbështetja e fshehtë e krimit dhe politikës luftënxitëse që po e bënë Serbia.

Deliu, në seancën e sotme plenare, tha se përderisa ka deklarata nga pala serbe për luftë dhe fshehje të varrezave masive, nuk mund të vazhdohet dialogu.

“Kryeministri paska shkuar, por konsideroj se ai duhet t’iu kërkoj hapur dhe publikisht Bashkimit Evropian që të distancohen nga kjo mbështetje e fshehtë e krimit dhe politikës luftënxitëse, ose përndryshe pala kosovare nuk është një palë serioze për të udhëhequr një proces i cili synon paqen. Si mund të shkohet në dialog kur ne kemi deklarata të tilla të zyrtarëve serbë që tentojnë të fshehin krimin makabër që ka ndodhur në Kosovë dhe të njëjtën kohë të promovojnë qe ne po punojmë në drejtim të arritjes së paqes. A duhet pafundësisht Kosova të punojë në drejtim të paqes dhe Serbia t’i fsheh në vazhdimësi këto krime që po i shohim çdo ditë e më tepër”, tha ajo.

Deliu Kodra në foltoren e Kuvendit, foli edhe për zhvillimet e fundit me Gjykatën Speciale dhe arrestimin e disa prej ish-krerëve të UÇK-së, ku tha se lirinë Kosova nuk ia ka borxh askujt.

“Ne nuk ia kemi borxh askujt, lirinë tonë dhe sa na kushtuar ajo po dëshmohet edhe sot. Po dëshmohet për çdo ditë. Të gjithë atyre që po tentojnë pa zgjedhur formë e pa ndërgjegje të bëjnë lirinë tonë si një produkt i një ndërmarrje kriminale, u duhet thënë qartë dhe pa rezervë se ata janë mohuesit e së vërtetës historike dhe nuk mund të shtiren asnjëherë për miqtë tanë”, u shpreh ajo

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA