Kur i kanë mbetur vetëm dy muaj në detyrë mësohet se presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka pyetur ndihmësit e tij të lartë mbi mundësinë e një sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

New York Times thotë se gjatë një takimi në Zyrën Ovale në 12 nëntor, presidenti i është drejtuar zëvëndësit të tij, Mike Pence, sekretarit të shtetit, Mike Pompeo, dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Mark Milley, duke i pyetur  “nëse mund të merren masa kundër Republikës Islamike në javët e ardhshme “.

Zyrtarët e lartë “e shkurajuan presidentin lidhur me avancimin e idesë së një sulmi ushtarak, duke e paralajmëruar se lëvizja mund të ndizte një konflikt më të gjerë në javët e fundit të presidencës së tij. Një zyrtar amerikan gjithashtu e konfirmoi raportin për Reuters.

“Trump pyeti për mundësitë. Ata i paraqitën atij skenarët dhe ai në fund të fundit vendosi të mos lëvizte përpara”, tha zyrtari në fjalë.

Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte mbi këto raporte. Trump thuhet se e bëri pyetjen pas pohimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) se Irani po vazhdon të zhvillojë uranium të pasuruar. Objektivi më i mundshëm i një sulmi do të kishte qenë Natanz, ku IAEA raportoi se “rezervat e uraniumit të Teheranit tani ishin 12 herë më të larta” sesa lejohej sipas një marrëveshje historike të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, nga e cila Trump u tërhoq në 2018-ën.

Top Channel