Situata jashtë kontrollit në Greqi/ Rritet numri i të infektuarve, viktimave dhe pacientëve të intubuar

17/11/2020 01:35

Jashtë kontrollit duket se po shkon gjendja e pandemisë në Greqi, pasi gjatë ditës së hënë u shënua një tjetër rekord i ri, ai i numrit të të intubuarve që ka shkuar në 400, ndërsa shqetësuese është edhe mosha mesatare e tyre që ndodhet tashmë nën 64-vjeç.

Konfederta Panhelenike e Punonjësve të Spitaleve publike ka bërë thirrje dramatike sidomos për gjendjen në Greqinë e Veriut dhe kryesisht të spitaleve në qytetin e Selanik, ku kanë mbetur të lira vetëm 10 shtretër të terapisë intensive, edhe ato për disa orë, nëse vihen re ritmet me të cilat po rritet numri i të prekurve.

Janë të shumta mediat vendase që e konsiderojnë orët e fundit Selanikun si Bergamon e Italisë, pasi nga 400 të intubuarit në gjithë vendin, 155 ndodhen në 7 spitalet publike të tij. Gjithashtu vihen re mungesa të personelit mjekësor pasi të gjithë punojnë në kushte të jashtëzakonshme për të përballuar numrin e madh të pacientëve, me orare të zgjatura dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre jane infektuar gjatë punës së përditshme.

Sa i përket numrit të rasteve në 24 orët e fundit janë regjistruar 2198 duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 76400. Edhe numri i viktimave ka qenë përsëri shumë i lartë, 59 dhe në total prej fillimit të pandemisë 1165 janë personat që kanë humbur jetën. Vatrat e nxehta mbeten ende Athina e Selaniku me 492 dhe 491 raste përkatësisht, por ndërkohë vazhdojnë me ritme shqetësuese të regjistrojnë numër të madh të prekurish Drama ,147, Pella , 122, Larisa ,110 dhe Serres 105 të gjitha qytete të Greqisë së Veriut që përballojnë edhe ato, gjendje dramatike në spitalet e tyre.

Top Channel