Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi se blloku ushtarak mund të paguajë një çmim të lartë nëse largon shumë herët trupat nga Afganistani.

Mediat e huaja raportuan se presidenti amerikan, Donald Trump planifikon të tërheqë së shpejti një numër të madh trupash amerikane nga vendi i shkatërruar nga lufta.

“Tani, përballemi me një vendim të vështirë. Ne kemi qenë në Afganistan për gati 20 vjet dhe asnjë aleat i NATO-s nuk dëshiron të qëndrojë më gjatë sesa është e nevojshme. Por, në të njëjtën kohë nëse largohemi shumë shpejt ose në një mënyrë të pakoordinuar, çmimi që do të paguhet, mund të jetë mjaft i lartë”, tha Stoltenberg.

Sipas kreut të aleancës, Afganistani “rrezikon të kthehet edhe një herë një platformë ku terroristët ndërkombëtarë mund të planifikojnë dhe organizojnë sulme në vendlindjet tona”. ISIS-i sipas tij, mund të rindërtojë në Afganistan kalifatin terrorist që humbi në Siri dhe Irak”.

Më herët u tha se Pentagoni kishte marrë direktiva për të përgatirut kthimin e 2.000 forcave të tjera amerikane nga Afganistani dhe 500 nga Iraku, përpara se presidenti i zgjedhur, Joe Biden, të inaugurohet më 20 janar. Nëse ndodh kjo tërheqje, atëherë do të mbeteshin 2.500 trupa në secilin vend, më pak sesa nga sa thonë disa zyrtarë amerikane, nga ç’është e mjaftueshme për të siguruar stabilitetin.

Top Channel