Kosovë/ Debat i ashpër në kuvend për menaxhimin e pandemisë COVID-19

17/11/2020 16:26

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, po debatojnë sot në një seancë plenare lidhur me menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Nënkryetarja e Kuvendi të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se situata me pandemi është përkeqësuar.

Ajo tha se numri i madh i rasteve të të prekurve me virus dhe vdekjeve është alarmant.

“Qeveria nuk garanton siguri dhe mbështetje për qytetarët. Logjika nga çka udhëheqin qeveritarët tregon se barrën më të madhe e kanë hedhur te vetë qytetarët. Kërkohet prej tyre t’ia dalin si të munden. Jemi në një krizë të shumëanshme nga COVID-19. Situata është krejtësisht jashtë kontrollit”, tha ajo.

Edhe deputetët e tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje adresuan kritika ndaj Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, për siç thanë, dështimin në menaxhimin e gjendjes me pandeminë COVID-19.

Pandemia, me pasoja psikologjike e ekonomike

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se në rrethanat aktuale do të ishte mirë që të gjithë të bëhen bashkë për të luftuar pandeminë.

“Të gjithë ne do të jemi faqebardhë kur do ta largojmë virusin. Në këtë kohë duhet mobilizim e kurajë, e solidaritet pozitë e opozitë. Secili ka mundësi të japë kontribut për t’u përballur me pandeminë”, tha ministri Zemaj duke shtuar se në harmoni me ligjin janë hartuar edhe plane.

Edhe deputeti Bekim Haxhiu, nga partia tjetër opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, tha se situata është “buzë kolapsit”. Ai tha se duhet të sigurohet aparaturë e re në spitale dhe të rritet numri i testimeve në grupe.

“Sot nuk mund të flasim për menaxhimin e pandemisë COVID-19, por për keqmenaxhimin e saj, paaftësi, mosshfrytëzim të të gjitha kapaciteteve shëndetësore, në këtë përballje me koronavirusin. Sot situata me pandemi është buzë kolapsit”, tha Haxhiu.

BQK: Rënia ekonomike deri në 7.2 për qind

Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, ka folur në emër të Grupit Parlamentar, duke thënë se nuk duhet të kërkohet fajtor i vetëm në një situatë me pandemi. Ai tha se COVID-19 e ka gjunjëzuar botën.

“Ne duhet të jemi pro masave të cilat e vënë nën kontroll pandeminë. Dhe përkundër nevojës për masa, duhet të ruhet edhe ekonomia. Atë e ruajmë kur bëjmë një balancë të të gjitha aktiviteteve ekonomike në vend, por duke e parë si prioritet shëndetin e popullatës”, tha ai.

Kurse, Albena Reshitaj theksoi se sot mund të kërkohet përgjegjësi nga ministri, por sipas saj, duhet të shikohen segmentet e tjera, duke përmendur mosmiratimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i viktimave me koronavirus ka arritur në 849. Që prej 13 marsit, kur në Kosovë u paraqitën rastet e para me koronavirus, e deri më 17 nëntor, 30 mijë e 495 persona janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, 17 mijë 878 pacientë janë shëruar./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA