Situatë alarmante në Greqi/ Kryebashkiaku i Selanikut: Në çdo shtëpi ka 1 të infektuar nga Covid-19

13/11/2020 01:48

Vendi është shokuar përsëri pasi për të dytën ditë rrjesht regjistrohet rekord i trefishte, tek rastet me Covid-19, tek vdekjet dhe tek numri i të intubuarve.

Sipas njoftimit të Organizmit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në 24 orët e fundit, 50 persona kanë humbur jetën duke e çuar numrin e përgjithshëm në 959. Mosha mesatare e viktimave është 80 vjeç dhe 96,9% e tyre ka pasur historik të rënduar shëndetësor.

Gjithashtu janë regjistruar për herë të parë mbi 3000 raste në ditë (3316), në total prej fillimit të pandemisë 66637. Po ashtu 310 persona ndodhen në intubim në dhomat e terapisë intensive. Përsëri vendin e parë e mban Selaniku me 828 të prekur, i ndjekur nga Athina me 756 . Veçohen gjithashtu Pella me 194. Larisa me 160, Pieria me 105, Drama me 98, Kavala me 88 dhe Serres me 87. Të gjitha këto qytete pranë Selanikut, pra në Greqinë e Veriut.

Siç është shprehur në mënyrë dramatike kryebashkiaku i Selanikut pasditen e së enjetes, gjendja në qytetin e dytë më të madh të Greqisë është alarmante, pasi vlerësohet se çdo shtëpi e ka një të prekur me Covid-19. Në një debat në parlament ku ka dëgjuar kritikat e liderve të opozitës për menaxhimin e pandemisë, kryeministri Mitsotakis ka pranuar se në rastin e Selanikut, qeveria e tij duhet të reagonte më shpejt me marrjen e masave të kufizimit të lëvizjeve.

Qyteti, përveç numrit të madh të rasteve të përditshme, përballon një presion të jashtëzakonshëm tek spitalet e tij, duke detyruar shumë prej drejtuesve të tyre, të kthejnë në klinika-covid pavionet e tjera të tyre. Prej ditës së premte në Greqi hyjnë në fuqi masat e reja të kufizimit të lëvizjes, për përballimin e pandemisë.

Aleksander Marku

Top Channel