Zgjedhjet SHBA, Trump mund të mos e shpallë kurrë humbjen

12/11/2020 11:46

“Mos prisni që Donald Trump të pranojë humbjen”; sipas mediave në Amerikë presidenti republikan mund edhe të mos e pohojë ndonjëherë me gojën e vet që i humbi presidencialet e 2020-tës.

Por Nbc pretendon se kjo mund të përkthehet edhe si “nuk i besoj rezultatet e votimit, por nuk i kontestoj ato”. Pra, mund të jetë kjo mënyra e Trumpit për t’u tërhequr sipas mediave vendase, pa një pohim zyrtar të fitorës së Joe Bidenit. As Melania Trump nuk e ka kontaktuar ende Jill Bidenin dhe axhenda e saj për ditët në vijim, nuk parashikon ndryshime.

Në vend është krijuar një klimë tensioni dhe amullie, të cilën Biden ka zgjedhur ta injorojë duke vazhduar punën për transferimin e pushtetit. Shteti i Xhorxhias sakaq do të rinumërojë me dorë të gjitha fletët e votimit të hedhura në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, një detyrë me përmasa të mëdha që duhet të përfundojë deri në 20 nëntor. Presidenti i zgjedhur Biden siguroi më shumë se sa 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, duke fituar Pensilvaninë të shtunën, pas katër ditëve të tensionuara të numërimit, që u vonuan për shkak të rritjes së votave me postë.

Nëse merr edhe Xhorxhian, kjo vetëm sa do ta shtonte diferencën e fitores së Biden. Trumpi sakaq nuk lëkundet nga bindja e vet se votimi u shoqërua me mashtrime. Biden aktualisht është përpara Trumpit në Xhorxhia me 49.5% ndaj 49.2% te votave.

Top Channel