Krime në Afganistan/ Hetim forcave speciale australiane

12/11/2020 10:39

Australia do të emërojë një prokuror special për të hetuar pretendimet për krime lufte të kryera nga forcat speciale australiane në Afganistan.

Kryeministri Scott Morrison paralajmëroi australianët që të presin publikimin e pretendimeve për “shkelje serioze dhe me gjasë kriminale”, në raportin për elitën e ushtarëve australianë në Afganistan. Në vitin 2016, Prokurori i Përgjithshëm i Forcave australiane të Mbrojtjes nisi një hetim katërvjeçar për të analizuar pretendimet për vrasje të paligjshme dhe shkelje tjera të mundshme nga ana e forcave speciale në periudhën 2005-2016.

Hetimet nisën pas dyshimeve të mediave australiane dhe informatorëve, për vrasje të civilëve afganë dhe të burgosurve të paarmatosur – duke përfshirë vrasjen e një të burgosuri për të ruajtur hapësirë në helikopter dhe vrasjen e një fëmije gjashtëvjeçar gjatë bastisjeve.  Më herët gjatë këtij viti, Prokurori i Përgjithshëm ka identifikuar 55 incidente të mundshme, kryesisht të lidhura me vrasje të paligjshme.

Morrison ka thënë se një version i redaktuar i raportit të Prokurorit të Përgjithshëm do të publikohet brenda ditësh. Kryeministri e bëri të qartë se nëse akuzohen, ushtarët do të gjykohen sipas sistemit australian të drejtësisë, duke tentuar kështu që të shmanget ndonjë veprim i Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Rreth 40,000 ushtarë australianë kanë shërbyer në Afganistan bashkë me forcat amerikane dhe ato të aleatëve, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel