Austria nuk i ndal masat e marra menjëherë pas sulmit të Vjenës, ku mbetën të vrare katër persona e u plagosën 22 të tjerë.

Më e fundit prej tyre është shpallja e islamit politik një krim. Njoftimin e bëri vetë kancelari Sebastian Kurz, i cili pak ditë më parë theksoi nevojën për “një qasje të fuqishme” në të gjithë Evropën kundër terroristëve të huaj, që sic tha, janë thjesht një minë me sahat për shoqëritë evropiane. Do të zgjerohet mundësia për mbylljen e vendeve të kultit që duket se luajnë rol në radikalizim. Do të krijohet po kështu një regjistër qendror i imamëve e do të ashpërsohen ligjet mbi shoqatat dhe simbolet, ndërsa do te merren dhe masa edhe për shterimin e flukseve financiare në mbështetje të terrorizmit.

“Në luftën kundër islamit politik e bazës ideologjike që qëndron pas tij, do të krijojmë një vepër penale nën këtë emër, në mënyrë që të kemi mundësinë të veprojnë kundër atyre që nuk janë terroristë, por u krijojnë këtyre personave një terren “të begatë”. Edhe njerëz që i kanë shlyer dënimet e tyre për shkelje të natyrës terroriste por nuk konsiderohet se janë ç’radikalizuar tërësisht, do t’i kemi në vëmendje për të mbrojtur në këtë mënyrë publikun e gjerë”, Kurz.

Propozimet përfshijnë mundësinë e burgimit të përjetshëm apo mbikëqyrjes elektronike të atyre që dalin nga burgu e që janë dënuar për terrorizëm. Parashikohet po kështu heqja e nënshtetësisë austriake për të dënuarit. Masat do t`i dërgohen parlamentit në muajin dhjetor. Kurz konfirmoi se ato mbështeten në dy fronte: nga njëra anë të goditen terroristët e dyshuar, dhe nga ana tjetër ideologjia që i drejton këta njerëz.

Top Channel