Eksperti amerikan për çështje ndërkombëtare, njëkohësisht një njohës shumë i mirë i politikave të Ballkanit, Daniel Serwer thekson se me hapjen e proceseve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë dhe ndikimit që ato mund të kenë në Kosovë, “ne duhet ta kuptojmë që procesi zhvillohet kundër përgjegjësisë individuale të personave, jo me përgjegjësi kolektive”.

Shqetësimi është se ai po zhvillohet vetëm në njërin drejtim, sepse Dhomave të Specializuara u mungon juridiksioni të merren me autorët serbë të krimeve dhe Serbia ka dështuar në vënien e tyre në bankën e të akuzuarve. Kjo është për të ardhur keq”, tha Serwer për DW. Përpara Dhomave të Specializuara në Hagë janë thirrur ish presidenti Hashim Thaci, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ish-kreu i PDK-së dhe deputeti Rexhep Selimi.

Mbi ta rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999 në disa zona në Kosovë, por edhe ne veriun e Shqipërisë, në Kukës e Cahan.

Më tej, Serwer shtoi se me zgjedhjen e Joe Bidenit si President në SHBA mund të ndryshojë edhe qasja e Shtëpisë së Bardhë ndaj Ballkanit. Lidhur me marrëveshjen e shtatorit në Uashington mes Prishtinës dhe Beogradit, eksperti theksoi, se “ajo qëndron, megjithëse nuk do të ketë ndonjë domethënie të madhe edhe nëse ajo zbatohet. Marrëveshja nuk e detyron SHBA për asgjë, dhe deri tani unë nuk kam dëgjuar asgjë lidhur me zbatimin e saj nga Prishtina dhe Beogradi.”

Top Channel