Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë të martën argumentat ligjore në një përpjekje nga republikanët për të përmbysur Ligjin për Kujdes shëndetësor të Përballueshëm të njohur si ObamaCare.
Seanca vjen disa javë pasi gjykatësja Amy Coney Barret u bë anëtare e Gjykatës së Lartë, duke u dhënë konservatorëve një shumicë 6-3.
Në qendër të çështjes është një klauzolë e ligjit të vitit 2010 që kërkon që shumica e njerëzve të kenë një nivel minimal të sigurimit shëndetësor ose të përballen me gjoba financiare.
Në një çështje të vitit 2012, Gjykata e Lartë vendosi që klauzola ishte e lejuar duke arsyetuar se përfaqësonte vënien e një takse nga Kongresi. Në vitin 2017 republikanët morën kontrollin e Senatit dhe vendosën që gjoba të hiqej.
Një grup shtetesh, të udhëhequra nga Teksasi, kanë marrë nismën aktuale për të çmontuar ligjin për kujdesin shëndetësor, i njohur me emrin Obamacare. Këto shtete argumentojë se mandati që individët të blejnë siguracion shëndetësor është antikushtetues, dhe se pa atë dispozitë, i gjithë Ligji për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm duhet të bjerë.
Një pjesë e qëllimit të Kongresit, për të kërkuar që njerëzit të kenë mbulim shëndetësor, ishte për të tërhequr më shumë njerëz të shëndetëshëm në sistem të cilët do të paguanin çmime të plota të siguracionit shëndetësor dhe që nuk kanë nevojë të përdorin shumë shërbime (që nuk kanë nevojë të shkojnë tek mjeku) , duke ndihmuar në uljen e kostos për individët që kanë nevoja të shumta mjekësore, përfshi ata me kushte ekzistuese të cilëve më parë u ishte mohuar siguracioni shëndetësor.
Teksasi dhe shtete të tjera në këtë grup argumentojnë se eleminimi i dispozitës do të krijonte një çekuilibër dhe mund të çonte në një rritje të padrejtë të kostos së kujdesit shëndetësor.
Por kundërshtarët, nën udhëheqjen e shtetit të Kalifornisë, thonë se veprimet e Kongresit në vitin 2017 janë provë se ligjvënësit nuk i shqetësonte heqja e gjobës vetëm për mandatin individual, ndërsa lejuan vazhdimin e pjesës tjetër të Ligjit për Kujdesin shëndetësor të Përballueshëm.
Ata shkojnë më tej duke argumentuar se ndërsa ligji është në fuqi, dhe gjobat janë hequr, thjeshtë i nxit njerëzit që të kenë siguracion shëndetësor, dhe në këtë mënyrë nuk mund të shihet si një imponim jokushtetues nga qeveria.
Pritet që gjykata të marrë një vendim nga fundi i qershorit ose fillimi i korrikut.
Mes anëtarëve të Gjykatës së Lartë në çështjen e vitit 2012, gjykatësit Samuel Alito dhe Clarence Thomas votuan për dhënien fund të gjithë ligjit. Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts dhe gjykatësit Stephen Breyer, Elena Kagan dhe Sonia Sotomayor votuan në mbështetje të ligjit. Tashmë, gjykatësit Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barret i janë shtuar Gjykatës së Lartë.
Nëse gjykata hedh poshtë ligjin, rreth 20 milion njerëz mund të humbasin siguracionin shëndetësor dhe kompanitë e siguracioneve mund të lejohen që të mohojnë mbulimin e individëve me kushte para-egzistuese shëndetësore.
Top Channel