Nuk e uruan Biden, presidenti rus, kinez, meksikan, brazilian dhe ai turk asnjë mesazh presidentit të zgjedhur

10/11/2020 01:12

Me Joe Biden që tani përgatitet të ulet në Shtëpinë e Bardhë, shumë liderë botërore kanë nxituar ta urojnë për fitoren. Por jo të gjithë kanë qenë të paduruar. Në fakt, disa kanë folur shumë me mungesën e tyre. Janë disa liderët botërorë që nuk kanë dërguar mesazhe mbështetëse ose që kanë tingëlluar të vakët në urimin e tyre.

Disa kanë shkuar edhe më tej madje, kanë uruar Trump ose kanë mbështetur pretendimet e tij për manipulim votash. Të paktën një ministër, i ka paguar komentet e tij, me vendin e punës.

Ai që bie më shumë në sy, është presidenti rus, Vladimir Putin, i cili nuk do ta përgëzojë presidentin e zgjedhur Joe Biden deri sa të zgjidhen sfidat ligjore të paralajmëruara nga Trump dhe rezultati të jetë zyrtar. Njoftimin për këtë e ka dhënë vetë kremlini. Kur Trump fitoi në 2016, Putin ishte ndër të parët që uroi por sfidantja e Trump në ato zgjedhje, Hillari Klinton, e pranoi humbjen të nesërmen e votimit.

Po ashtu, liderët e Kinës, Brazilit e Turqisë, nuk e kanë nisur ende urimin e tyre. Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, tha se ai do të priste derisa të zgjidheshin sfidat ligjore për ta bërë këtë. Më herët udhëheqësit e Izraelit dhe Arabisë Saudite iu bashkuan udhëheqësve të tjerë botërorë, që uruan presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Megjithatë në urimin e Netanyahut – një aleat i ngushtë i Trumpit- është vërejtur mungesa e fjalëve “president i zgjedhur” dhe “zëvëndëspresidente e zgjedhur”. “Unë do të doja të filloja me përshëndetjet për Joe Biden dhe Kamala Harris. Për gati 40 vjet kam pasur një marrëdhënie personale, të gjatë dhe të ngrohtë me Joe Biden dhe e njoh atë si një mik të madh të shtetit të Izraelit”- tha ai në një deklaratë përmes videos.

Netanyahu gjithashtu e falenderoi Trumpin për disa lëvizje, që sipas tij, kanë çuar përpara interesat e Izraelit. Ndërkohë në Estoni, ministri i brendshëm, Mart Helme, njoftoi dorëheqjen të hënën pasi ai dhe i biri, ministri i financave Martin Helme, bënë akuza të përsëritura për manipulim zgjedhjesh në SHBA.

Top Channel