Kryetarja e parlamentit te Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po ushtron përkohësisht detyrën e presidentes është takuar në zyrën e saj me kryeministrin e vendit, Avdullah Hoti.

Takimi vjen pak ditë pas arrestimit dhe konfirmimit të aktakuzës ndaj ish presidentit, Hashim Thaçi, I cili menjëherë pas kësaj dha dorëheqjen nga posti. Ende nuk ka një emër të ri I cili të diskutohet si zëvëndësuesi i Thaçit në krye të shtetit. Vjosa Osmani mund të qëndrojë në këtë post për  gjashtë muaj në rast se nuk arrihet të votohet në Kuvend një president i ri.

Nëse edhe pas këtij afati, kreu I shtetit nuk zgjidhet atëherë Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Partnerët e koalicionit qeveritar në Kosovë, pohuan dy ditë më parë se ende nuk e nuk kanë diskutuar dhe nuk kanë ndonjë plan konkret për zgjedhjen e presidentit të ri. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk e sheh të ngutshme këtë çështje, edhe pse këmbëngul se kandidati i saj, Ramush Haradinaj është opsioni i vetëm. Haradinajn ndërkohë e refuzon partneri më i madh i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa subjekti kryesor opozitar në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se vendit i duhen zgjedhje të reja, prej të cilave të dalë siç thotë, një qeveri, e cila të gëzojë mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve.

Top Channel