Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paraqitur për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka thënë se në aktakuzën për Thaçin janë gjashtë pika kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte.

I pyetur nëse i kuptonte akuzat ndaj tij Thaçi u përgjigj shkurt dhe prerë: I kuptova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha akuzat. I nderuari gjykatës akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm krejtësisht.

Gjyqtari: Seanca e sotme nuk eshtë gjykim, nuk do paraqitet prova dhe nuk do merren prova per fajësinë apo pafajësinë tuaj.

A e konfirmoni se e keni marrë akt akuzën në gjuhën që e flisni dhe ekuptoni?

Thaçi: PO

Gjyqtari: Ju akuzoheni për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, krim lufte, akte të tjera cnjerëzore, trajtim mizor si krim lufte, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme si krim lufte dhe zhdukje me forcë e personave .
Këto krime u kryen në vitet 98-99, në disa vende, Llapushnik, Drenas, Ferizaj, Gjilan, Jabllanicë, Skënderaj, Malishevë, Klinë, Novobërdë, Prizren dhe Viti, në Kukës e Cahan në Shqipërinë Veriore.

Përveç Thaçit, Specialja ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj tre pjesëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.

Në aktakuzën e konfirmuar për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Top Channel