I dehur në timon dhe festa familjare në kohë pandemie/ Një i prangosur në Durrës, 2 procedohen penalisht

08/11/2020 09:05

Dy persona janë proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale, si dhe një drejtues mjeti ka rënë në pranga në qytetin e Durrësit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, për parandalimin e përhapjes së COVID-19, proceduan penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”,  shtetasin Xh. B., 46 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Ky shtetas, pronar i një subjekti në Fushë Krujë, pasi është ndëshkuar me masë administrative në mënyrë të përsëritur, është konstatuar përsëri duke organizuar festa familjare në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos iu bindur urdhrit të Policisë.

Po kështu është proceduar penalisht, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, shtetasi E. A., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua në lagjen nr. 11, Durrës, duke zënë hapësirën publike pa lejen e institucioneve përkatëse.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Renault”, në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel