Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e saj që të unifikojë skenën politike në mënyrë që vendi të përballojë sa më lehtë situatën e rënduar pas zhvillimeve të fundit të krijuara nga Specialja.

Këto komente Osmani i bëri gjatë homazheve tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ajo tha se krahas kompetencave dhe përgjegjësisë së saj për të unifikuar skemën politike në vend, është edhe në vullnetin e përfaqësuesve politik në vend që të tregojnë të njëjtin përkushtim.

“Qytetarët nuk do ta falin askënd nëse në këtë kohë të rëndë për Kosovën, kur ne duhet të flasim një zëri për krimet që i ka bëre Serbia në Kosovë, që ne të bëhemi peng i politikave ose dallimeve ditore. Prandaj, është me rëndësi që për çështje të interesit nacional të bashkohen të gjithë. Natyrisht, sa më përket mua, edhe në pozicionin e ushtrueses së detyrës së presidentit, unë do ta jap kontributin tim maksimal, por kjo siç e thash varet edhe nga vullnetin përfaqësuesve tjerë politik”, tha ajo.

Duke përmendur vështirësitë me të cilat po përballet vendi, ajo tha se është me rëndësi që të përkujtohen edhe arkitektët e shtetit të pavarur të Kosovës, e që ishin edhe simbol, i urtisë, maturisë dhe bashkimit të të gjithëve rreth një kauze të vetme, e që ishte liria dhe pavarësia.

Kështu, duke nderuar jetën dhe veprën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Osmani tha se nderojnë edhe shembullin e bashkimit dhe unitetit të cilin e kishte ndërtuar ish-presidenti Rugova.

“Sot bashkë me bashkëpunëtorët e mi erdhëm që të nderojmë presidentin Rugova, themeltarin e shtetit të Kosovës, njeriu i cili nëpërmjet një politike të pashembullt, arriti që t’i bashkojë të gjithë shqiptarët rreth një kauze të përbashkët dhe në të njëjtën kohë, arriti që në kohërat kur të gjithë duhej të flisnin njëzëri ndaj hegjemonisë serbe, ta bashkojë atë zë dhe mbi të gjitha të sigurohet që ai zë të jehojë edhe në kancelaritë dhe zyrat më të rëndësishme të botës. Pra, u sigurua që bota të dijë jo vetëm se ku është Kosova, por që bota ta marr vesh për secilin krim që kreu në Kosovë”, u shpreh ajo.

Osmani gjatë ditës së sotme homazhe do të bëjë edhe në Prekaz, në kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Top Channel