Dorëheqja e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit të Kosovës, krijon një situatë të re dhe sfidë për Kosovën në aspektin e brendshëm politik, si dhe për imazhin e saj në arenën ndërkombëtare, vlerëson njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi. Sipas tij, Kosova në këtë moment ka nevojë për një unitet të skenës politike.
Uniteti i gjerë i skenës politike është i domosdoshëm për të mos lejuar që të krijohen vakuume institucionale, por edhe për të bërë të mundur që të shtyhen përpara proceset shtetërore dhe institucionale, vlerëson analistja Jeta Krasniqi.
Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të vendit, më 5 nëntor, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që pas dorëheqjes së Thaçit, nga spektri politik kërkohet maturi për t’u ballafaquar me situatën e krijuar dhe të menaxhojnë politikën e brendshme. Sipas tij, aktualisht mund të krijohet një vakum i madh politik dhe partitë politike, tash për tash, duhet të shmangin luftën ndërmjet tyre, për të ruajtur interesat e vendit. Siç thotë ai, në situatën aktuale, do të ishte amatorizëm politik në rast se synohet ndonjë lloj përfitimi nga partitë veç e veç.
“Kjo do të shkonte në dëm të çdo partie politike. Nuk e ka kapacitetin asnjë parti politike që e vetme ta menaxhojë këtë situatë. Duhet të lihen anash interesat ditore dhe të gjendet një lloj konsensusi, i cili e bën bashkë spektrin politik dhe jo vetëm atë, sepse sfida është aq e madhe sa që do të duhej kontributi i të gjithëve për ta tejkaluar atë. A do të kenë mundësi dhe forcë partitë politike që të arrijnë një gjë të tillë, përvoja e deritashme nuk na e jep këtë shpresë. Mirëpo, në rast se kjo nuk është një lloj alarmi për t’u zgjuar nga letargjia, atëherë nuk e di se çka mund të jetë”, theksoi Ibahimi.
Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që dorëheqja e Thaçit nga pozita e presidentit, por edhe konfirmimi i aktakuzave ndaj tij dhe ndaj përfaqësuesve tjerë, qoftë institucionalë, qoftë të partive politike, patjetër që do të ndikojë në skenën politike në vend. Por, fillimisht, sipas saj, institucionet e vendit duhet t’i jetësojnë porositë që janë dhënë nga Thaçi, i cili u ka bërë ftesë qytetarëve për qetësi dhe përmbajtje nga çfarëdo lloj proteste.
“Institucionet e vendit duhet të sigurohen që të mos ketë reagime apo trazira në vend. Gjithsesi e gjithë kjo e ka trazuar skenën politike dhe mund të ketë implikime në ndryshimet në qeveri, mund të ketë implikime në përzgjedhjen e presidentit të ri, mund të ketë implikime që të kemi zgjedhje të reja, ndalim të disa proceseve nëpër të cilat jemi. Pra, krijon efekte politike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në funksionimin e shtetit”, theksoi Krasniqi.
Efektet mbi dialogun Kosovë-Serbi
Ndërkaq, Ilir Ibrahimi vlerëson që zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për momentin, nuk janë zgjidhje për situatën e tanishme. Sipas tij, ato nuk mund ta ndryshojnë shumë realitetin politik dhe partive politike sërish do t’iu duhet që të ulen bashkë për ta bërë një qeveri, e cila do të përballej me sfidat që e presin vendin.
Ai shtoi se aktakuzat e konfirmuara ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit, ish-zyrtarëve të lartë, por edhe figurave të larta në kuadër të partive politike të Kosovës, e të cilët dikur kishin udhëhequr luftën, do të ndikojnë edhe në aspektin ndërkombëtar. Siç thekson ai, spektri politik në Kosovë, duhet të jetë i vetëdijshëm që në planin e jashtëm, Kosova më nuk do të shihet sikurse deri më tash dhe do të duhet punë shumë e madhe për ta tejkaluar sfidën.
Sipas tij, sfidë do të jetë edhe dialogu me Serbinë, nga i cili, siç thotë ai, Kosova nuk duhet të heqë dorë.
“Dialogu duhet të vazhdojë, sepse Kosova, megjithatë, duhet të vazhdojë t’i kryej detyrat e saj si shtet. Shteti nuk mund të varet vetë nga individë, sepse në këtë rast edhe pse janë personat që janë kyçë për çlirimin dhe themelimin e shtetit, ne duhet që të gjejmë forcën që përgjegjësitë tona shtetërore t’i çojmë përpara për obligimet që kemi marrë. Por, ato mund të çohen përpara vetëm nëse jemi të bashkuar dhe që ne jo vetëm të jemi pjesë e procesit, por të arrijmë maksimumin në këtë proces”, theksoi Ibrahimi.
Edhe Jeta Krasniqi shpreh mendimin që duhet të krijohet një unitet i brendshëm politik në vend, qoftë për të krijuar një stabilitet të brendshëm politik, qoftë për të shtyrë përpara procesin e dialogut (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë).
“Edhe ky proces i dialogut duhet të shërbejë në drejtim të asaj që Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme që të përballet me drejtësinë ndërkombëtare dhe vendore. Përmes këtij procesi të dialogut, gjithashtu, të kërkohet nga ana e Serbisë që ta bëjë të njëjtën. Ne e dimë që Serbia nuk e ka bërë këtë dhe në vazhdimësi ka fshehur persona që kanë kryer krime lufte apo nuk ka pranuar të bashkëpunojë. Mbetet të shihet se si do të ndikohet ky proces i dialogut”, theksoi Krasniqi.
Nga Dhomat e Specializuara në Hagë, deri më tani janë konfirmuar aktakuzat për pesë persona, për të cilat aktakuza është njoftuar publiku. Aktakuzë është ngritur kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Të enjten, më 5 nëntor, u bë e ditur se është konfirmuar aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ndërkaq, të mërkurën, (më 4 nëntor) u njoftua se është konfirmuar aktakuza ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, si dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, aktakuza u bë publike më 5 nëntor, ku Dhomat e Specializuara thanë se ajo është konfirmuar më 26 tetor.
Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar në vitin 2015 pas ndryshimeve kushtetuese, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./REL
Top Channel