728 raste pozitive me koronavirus janë raportuar në Kosovë për 24 orët e fundit ndërsa numri i viktimave është 12. 

Sipas të dhënave të Institutit kombëtar të shëndetit publik në Kosovë, gjithsej janë kryer 1827 testime. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 60 pacientë ndërkohë që numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 15981. Në total, numri i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë në Kosovë ka shkuar në 22934 dhe ai i viktimave 732.

Në kushtet kur numri i infektimeve me koronavirus është rritur ndjeshëm, këto ditë të fundit, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës mori vendim që nga ora 20:00 e ditës së sotme deri të hënën, në orën 05:00, t’iu ndalohet veprimtaria të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë periudhë do të mbylleshin edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës. Megjithatë, vendimi hyn në fuqi vetëm pasi të nënshkruhet nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë po ashtu parasheh që furrat e bukës, barnatoret, dyqanet e vogla dhe pompat e derivateve të mbeten të hapura. Vendimi e obligon edhe Policinë e Kosovës që të bëjë “kontroll rigoroz” të zbatimit të masave.

Top Channel