Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, pas marrjes së këtij posti është takuar me ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë Tomas Szunyog, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, siç njofton Presidenca e Kosovës, Osmani ka thënë se si ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës, do të ruajë stabilitetin institucional.

“Osmani i informoi ambasadorët e Kuintit me zhvillimet e fundit politike në vend dhe rolin e saj si ushtruese e detyrës së presidentes në ruajtjen e stabilitetit institucional, unitetin politik, si dhe maturinë dhe kujdesin të cilin institucionet e vendit po e tregojnë në këtë fazë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, mori pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit, në bazë të kompetencave kushtetuese, pasi Hashim Thaçi njoftoi se ka dhënë dorëheqje.

Sipas Kushtetutës të Kosovës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Më 5 nëntor, Thaçi, në një konferencë për media, tha se dorëheqja e tij vjen pasi i është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga një gjykatës i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit të presidencës, vendet e Kuintit dhe BE-ja e kanë siguruar Osmanin se do të vazhdojnë përkrahjen për popullin dhe institucionet e Kosovës.

Vendet e Kuintit janë: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Top Channel