Gjykata Speciale e Hagës konfirmoi këtë të enjte aktakuzën për krime lufte, e ngritur për presidentin Hashim Thaçi.
Ashtu siç kishte premtuar më herët, fill pas konfirmimit të aktakuzës, presidenti Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit dhe në vend të tij, u vendos Vjosa Osmani. Këto zhvillime u diskutuan në studion e emisionit “Top Talk”, ku i ftuar ishte analisti i njohur Milaim Zeka. Sipas Zekës, krijimi i Gjykatës Speciale ishte i detyrueshëm për presidentin Thaçi, e për analistin, krijimi i kësaj gjykate dhe marrëveshja e Rambujesë janë dy të mirat që ka bërë ish-presidenti. Analisti theksoi se Thaçi dhe aktorë aktualë politikë që kanë qenë pjesëmarrës në luftë kanë bërë dy gabime.
E para, sipas tij ka të bëjë me faktin që nuk krijuan një gjykatë vendore për të gjykuar krimet e luftës. Ndërsa e dyta, hezitimi i thirrjes së ish-zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, James Rubin, i cili i ka kërkuar sistematikisht për t’u larguar nga sfera politike.
Milaim Zeka: Tani prej fillimit është ditur që Gjykata Speciale është krijuar për zotin Thaçi dhe ai ka qenë targeti kryesor i kësaj gjykate. Pavarësisht se gjykata u krijua nga një histori bizare që lidhet me shtëpinë e verdhë në Burrel, që gjoja pjesëtarë të UÇK-së kanë nxjerrë organet trupore të serbëve, zemrat, veshkat dhe ato i kanë shitur në vendet e ndryshme Perëndimore. Kjo gënjeshtër, apo përrallë e kurdisur nga qeveria e Serbisë dhe e sponsorizuar nga Kina dhe Rusia mori dhenë dhe u pa si një përrallë e vërtetë në Këshillin e Përgjithshëm të Parlamentit Evropian. Tani jemi në këtë situatë që jemi dhe sigurisht që prokurorët europianë, dinë fakte prova, por kjo do të dëshmohet nga gjykata.
Denis Dyrnjaja: Ka një problem në këtë narrativën që ju sapo bëtë. Juve thatë që targeti kryesor ishte Hashim Thaçi, por vetë Hashim Thaçi e ka mbështetur këtë gjykatë. Duket si një ironi, apo një gjë jashtë logjike kjo punë.
Milaim Zeka: Për momentin nuk kanë arritur njerëzit të kuptojnë atë qëndrimin e Hashim Thaçit për krijimin e Gjykatës Speciale, por unë mendoj që punën më të mirë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë dhe shpalljes së pavarësisë Hashim Thaçi e ka bërë me krijimin e Gjykatës Speciale. Përse po e them këtë? Sepse ai nuk e mbrojti interesin e tij personal, por mbrojti interesin e Kosovës.
Denis Dyrnjaja: Ju thoni që presidenti Thaçi mbrojti dinjitetin e Kosovës. Në fakt, kjo tërheqje është e vonuar. Duhej dhënë më përpara?
Milaim Zeka: Për dorëheqjen do të flas pak më vonë, por krijimi i Gjykatës Speciale ka qenë i pa evitueshëm. Njerëzve të cilëve i mungon totalisht informacioni ndërkombëtar, zakonisht edhe mbrëmë i kam bërë pyetje një avokati, a ke informacion që gjykata do të themelojë përmes këshillit të OKB-së, apo ti mendon që nuk beson. Përgjigja e tij ishte, se ai mendon që nuk beson që kjo gjykatë do të krijohet përmes OKB-së. Ndërsa unë që kam informacionin, së bashku me Hashim Thaçin dhe ish- ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçin, e dimë se Shtetet e Bshkuara të Amerikës dhe vendet Perëndimore, Anglia, Gjermania, Franca, Suedia. I kanë thënë Thaçit se i keni dy rrugë, ose do të krijoni Gjykatën Speciale ku stafetën do ta ketë Brukseli dhe Uashingtoni, ose do të krijoni një Gjykatë Speciale me Kinën, Rusinë dhe vendet antishqiptare dhe antiKosovë, ku gjykatës do të ishin kinezë, rusë e të tjerë. Në bazë të kësaj, Thaçi ka bërë një veprim të drejtë.
Denis Dyrnjaja: Ju thoni që kjo gjykatë u ngrit për target të Hashin Thaçit. Kush është i interesuar që të krijojë një prokurori e më pas një gjykatë për të dënuar Hashim Thaçin?
Milaim Zeka: Tani ky ishte një gabim fatal i opolitikës aktuale të Kosovës dhe krerëve të luftës. Dy gabime fatale kanë bërë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi e gjithë këta. E para që nuk krijuan një gjykatë vendore, që do të gjykonte të gjitha krimet e luftës, si nga serbët, shqiptarët, si nga romët, turqit e të tjerë. Ky ishte gabimi numër një.
Denis Dyrnjaja: Ndoshta nuk ishin dakord ndërkombëtarët me këtë lloj forme.
Milaim Zeka: Kjo nuk është e vërtetë, ndërkombëtarët kanë qenë dakord, por erdhi mesazhi më pas nga ish-zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, James Rubin, që ishte zëdhënësi i sekretares së shtetit në vitin 2007, ku iu tha tekstualisht, largohuni nga politika, boll më, mjaft. Këta njerëz nuk u larguan, vazhduan, për ta çoroditur shtetin e Kosovës dhe në një farë mënyre varësia ndërkombëtare nuk ka qëllim primar dënimin e këtyre njerëzve. Unë mendoj që Gjykata Speciale, qëllim primar ka largimin nga skena politike e krahut të luftës.
Top Channel