Foto ilustruese

Lumturia nuk mund të qëndrojë për një kohë të gjatë në jetën e një personi nëse nuk ‘ujitet’ përmes zgjedhjes dhe praktikës.

Pra të jesh i lumtur është një aftësi që mund ta zhvillojmë si çdo aftësi tjetër. Më poshtë do të gjeni tri këshilla për të ndërtuar ‘muskujt e lumturisë’.

Zgjidhni lumturinë çdo ditë

Lumturia është përfundimisht një zgjedhje personale, asgjë më shumë ose më pak; është një vendim që duhet ta rifreskojmë në mënyrë aktive çdo ditë. Për të qenë të lumtur, ne thjesht duhet ta hapim veten përpara kësaj mundësie,  nëse jemi të vendosur për t’u ndjerë të mjeruar, pa dashuri, pa sukses, pa pasuri, pa shëndet ose ndonjë gjë tjetër nuk do të kënaqemi kurrë. Mund të jemi të lumtur vetëm nëse e lejojmë që të jemi.

Shumë prej jush mund të pyes tani: “Kush është ai që nuk e do apo nuk e zgjedh lumturinë?”

Në të vërtetë, shumë prej nesh e bëjmë këtë në mënyrë të pavetëdijshme. I lejojmë më shumë hapësirë në mendje mendimeve negative sesa atyre pozitive. Padashur zgjedhim pakënaqësinë në vend të lumturisë. Për shembull, duke ritreguar vazhdimisht se çfarë ngarkese kemi gjatë ditës, sa punë të vrazhdë kemi, sa shumë përgjegjësi, etj., krijohet një rreth vicioz.

Nëse, në vend të kësaj, ne do të njihnim fuqinë e jashtëzakonshme që kemi për të zgjedhur mendimet tona, shumë gjëra do të ishin ndryshe. Pas një dite ‘të vrazhdë’ mund të bëjmë diçka që na pëlqen, duke e hequr mendjen nga ngarkesa që kemi.

Me pak fjalë, ne i kemi çelësat e lumturisë, bazuar në mënyrën se si zgjedhim të perceptojmë dhe reagojmë ndaj çështjeve të jashtme.

Mos harroni të jeni mirënjohës

Një ‘qëndrim mirënjohjeje’ i qëndrueshëm është provuar shkencërisht se përmirëson shëndetin fizik, ul stresin dhe emocionet toksike, rrit ndjeshmërinë, forcon vetëvlerësimin dhe përmirëson lidhjet shoqërore, ndër përfitimet e tjera, në thelb: mirënjohja mbështet themelin e lumturisë.

Të gjithë kemi aq shumë për të qenë mirënjohës, megjithatë në vrullin e jetës së përditshme, ne shpesh harrojmë të ndihemi të tillë, duke u fokusuar më shumë te gjërat që nuk i kemi, sesa tek ato që zotërojmë. Shkruani të paktën tri gjëra për të cilat jeni mirënjohës çdo ditë dhe së shpejti gjithnjë e më shumë do të rrjedhin gjërat e mira.

 Zotëroni bujari

Jini zemërgjerë në çdo nivel, jo vetëm me paratë dhe gjërat materiale, por edhe me zemrën dhe kohën tuaj. Ne nuk jetojmë në një vakum, por jemi të lidhur me ata që na rrethojnë. Studimet konfirmojnë se ata që u japin apo u dhurojnë gjëra njerëzve rregullisht, gëzojnë nivele më të larta lumturie sesa ata që nuk e bëjnë.

Dhënia mund të fillojë thjesht nga një buzëqeshje. Mënyra të tjera jo-monetare për të dhënë mund të përfshijnë:

Dhënia e kohës për të dëgjuar dhe për të qenë të pranishëm te të tjerët që mund të kenë nevojë për mbështetjen tonë emocionale.
Ndihma që mund të japim përmes aftësive tona; për shembull, duke ndihmuar në organizimin e punëve të tyre financiare.
Dhënia e sendeve që nuk na shërbejnë më.
Vullnetarizmi për një organizatë bamirësie.

Mos e shtyni të qenit i lumtur për një ditë tjetër. Çdo ditë është e çmuar, kështu që vendosni të maksimizoni lumturinë tuaj.

Top Channel