Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, pasi ky i fundit u përfshi së fundmi në një skandal konflikti interesi të denoncuar edhe nga “Fiks Fare”. 

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri argumentoi se shkarkimi i ministrit Kuçi duhet të bëhet menjëherë pasi kompania Hidroterm, ku ai është pronar ka fituar një tender publik për ndërtimin e një spitali në Prizren, me vlerë 5 milionë euro. Veç tij, Tahiri kërkoi edhe shkarkimin e ministres së Financave, Hykmete Bajrami, pas rastit të transferimit të 2 milionë eurove nga thesari i shtetit në llogaritë e një kompanie private.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar po ashtu që qeveria Hoti të shfuqizojë vendimin për mbylljen e task forcës kundër korrupsionit.

“Shkarkimi i Task-Forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës, ka qenë një vendim i dëmshëm, i paarsyeshëm, i pabazë dhe i motivuar politikisht për të goditur rendin dhe ligjin në vendin tonë”, tha Tahiri.

Qeveria e Kosovës në mes të muajit tetor vendosi që të shuajë këtë Task-Forcë, pasi argumentoi se ky organ ishte formuar në mënyrë të kundraligjshme. Departamenti Special AntiKorrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca AntiKorrupsion” ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Top Channel