Pensioni në emër të të vdekurit, Fiks Fare zgjidh problemin e të moshuarës

30/10/2020 21:11

Një e moshuar nga qyteti i Vlorës u sorollat prej disa javësh nga Sigurimet Shoqërore dhe një bankë e nivelit të dytë për pensionin, pasi gabimisht i ishte hedhur pensioni në llogarinë e bashkëshortit të saj të ndjerë.

Dhe, pas ankesës dhe interesimit të gazetarëve te Fiks Fare, zonja Mine Pashaj mori pensionin e munguar. Sipas ankesës, bëhet fjalë për pensionin e dy muajve, maj e qershor, ku në total zonjës Mine i mungonin rreth 210 mijë lekë të vjetra. Z.Bajram Pasha ndërroi jetë në fillim të muajit maj dhe pensioni i znj.Mine u hodh në llogarinë e tij në një bankë të nivelit të dytë. E moshuara u interesua te Sigurimet Shoqërore dhe i thanë se pensioni i saj është hedhur në llogarinë e saj personale dhe bashkimi është bërë në bankë. Ajo dhe kunati i saj kanë shkuar te banka, por u kanë thënë që të hapë gjyq, të bëjë dëshmi trashëgimie dhe procedura të tjera që duan kohë, lekë. Por, edhe këto procedura nuk i realizon dot, pasi fëmijët e zonjës janë jashtë Shqipërisë.

Gazetarët biseduan me shefen e pensioneve të Sigurimeve Shoqërore Vlorë, Leonora Aliaj, e cila pohoi se pensioni i zonjës Mine është hedhur në llogarinë e saj bankare dhe jo në atë të të shoqit të ndjerë. Ajo pohoi se Sigurimet Shoqërore nuk bashkojnë pensione, pasi çdo pensionist ka llogarinë e tij bankare. Pas kësaj përgjigje, qytetarët interesohen te banka e nivelit të dytë, ku sërish marrin përgjigje se pensioni është në llogarinë e të ndjerit dhe duhet një dëshmi trashëgimie për ta marrë mbrapsht. Madje, nëse kanë pretendime, duhet të hapin një proces gjyqësor.

Por, ndryshe nga sa i thanë qytetarëve, banka thotë se, pas kërkesës për informacion nga Fiks Fare, problemi i zonjës Mine është zgjidhur. “Faleminderit Fiks Fare. Ne na sorollatën për disa javë. Dhe, vetëm 24 orë pas interesimit të Fiksit, çështja u zgjidh. Ju kërkojmë të gjithë qytetarëve të denoncojnë padrejtësitë në Fiks Fare. Ju falenderojmë nga zemra” thanë dy të moshuarit.

FOTO GALERI
4/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA