Kryeparlamentari iranian rezulton pozitiv me COVID-19

28/10/2020 09:28

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka njoftuar se është testuar pozitiv për koronavirus, disa javë pasi u përball me kritika nga zyrtarët qeveritarë për vizitën e tij në një spital në kryeqytetin Teheran.

“Një nga kolegët e mi të zyrës kishte kontraktuar koronavirusin dhe në mesnatë rezultati im i testit po ashtu doli pozitiv”, shkroi në Twitter Ghalibaf, duke shtuar se ai është vetë-karantinuar.

Disa javë më parë, fotografitë e kryeparlamentarit iranian të shoqëruar nga pacientë dhe mjekë brenda repartit COVID-19 në spitalin Imam Khomeini të Teheranit shkaktuan polemikë.

Mbështetësit e kryeparlamentarit vlerësuan atë për “trimërinë e tij në rritjen e moralit” të punonjësve të kujdesit shëndetësor, zyra e presidentit dënoi veprimin e tij për “mosrespektim” të protokollit shëndetësor.

Pas këtij incidenti, presidenti Hassan Rouhani, anuloi takimin e krerëve të tre degëve të qeverisë.

Përderisa janë përhapur spekulime se vizita e kryeparlamentarit Ghalibaf në spital dhe udhëtimet në provincat e largëta iraniane të javëve të fundit kanë rezultuar me infeksionin e tij, postimi i tij në rrjetet sociale thotë të kundërtën.

Asistenti politik dhe mediatik i kryeparlamentarit, Mohammad Saeed Ahadyan, po ashtu nuk sheh asnjë lidhje të vizitës së Ghalibaf në spital me infeksionin e tij.

“Kanë kaluar tre javë (nga vizita në spital) deri më tani dhe nuk ka asnjë lidhje me të. Gjatë kësaj periudhe ai u testua disa herë dhe përveç kësaj të gjitha protokollet (në spital) janë ndjekur, sikurse personeli mjekësor”, tha Ahadyan.

Irani aktualisht po përballet me valën e tretë të koronavirusit, javëve të fundit me një rritje të shpejtë të infeksioneve dhe fataliteteve të reja.

Dje, vendi regjistroi shifrën më të lartë të rasteve ditore (6.968) dhe të vdekjeve (346) që nga shpërthimi i pandemisë në mes të muajit shkurt, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 581.824 dhe të vdekjeve në 33.299.

Rritja e re ka çuar që qeveria të imponojë kufizime të rrepta në mbi 40 provinca në të gjithë vendin, edhe pse vendimi për vendosjen e bllokimit të rreptë në kryeqytetin Teheran ende nuk është marrë./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA