Liga e Kampionëve rikthehet këtë mesjave dhe sot do të luhen ndeshjet e dyta në Grupet A,B, C dhe D. Bayerni i Mynihut, skuadra kampione në fuqi e Evropës do të luajë në orën 18:55 ndaj Lokomotivës së Moskës me skuadrën bavareze që dukshëm është favorite për të fituar këtë përballje.

Në fakt Bayerni nuk njeh humbje në Ligën e Kampioneve që nga 13 marsi i 2019 kur u eliminua në cerekfinale nga Liverpooli dhe që nga ai moment klubi gjerman ka regjistruar 12 fitore radhazi në Ligën e kampioneve, një rekord për këtë kompeticion të cilin do të kërkojë ta thellojë në ndeshjen e sotme.

Po në 18:55 do të luhet edhe sfida mes Shakhtarit dhe Interit, një ndeshje kjo delikate për zikaltrit edhe pse është vetëm sfida e dytë e fazës së grupeve. Pas barazimit në ndeshjen e parë me Moenchengladbach, Interi arriti të fitojë në kampionat ndaj Genoas falë golave të Lukakut e D’ambrosio, ndërkohë që pritet një reagim edhe nga Lautaro Martinez që u shfaq nervoz në fundjavë në momentin e zëvendësimit ndaj Genoas. Sot do të zbresë në fushë edhe Liverpooli që do të presë në Anfield Midtjylland. Skuadra e The Reds që duket se e ka humbur për këtë sezon shërbimin e van Dijk shihet si favorite absolute për të marrë 3 pikët, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që trajneri Klopp të bëjë rotacione në skuadër  për këtë përballje.

Reali i Madridit ka udhëtuar drejt Gjermanisë për ndeshjen me Borussia Moenchengladbach. Los Blancos vijnë me moralin e lartë pas fitores në El Clasicon ndaj Barcelonës dhe ndaj gjermanëve do të kërkojnë që të harrojnë paraqitjen aspak të mirë të shfaqur ndaj Shakhtarit. Moenchengladbach ka regjistruar 2 fitore e 3 barazime në 5 ndeshjet e fundit, ndërsa Real madridi 3 fitore e 2 humbje dicka që e bën akoma më interesante këtë përballje. Në Francë Olympique i Marseilles do të luajë me Manchester City, një përballje që ka brenda saj edhe sfidën mes dy trajnerëve Villas Boas e Pep Guardiola. Kjo është hera e parë që këto dy skuadra luajnë kundër njëra-tjetrës në kompeticionet evropiane kështu që kurioziteti është i madh për këtë ndeshje

Top Channel