Shërbime gjatë tërmetit të 26 nëntorit, shërbime gjatë kohës së karantinës, këta janë efektivët e policisë dhe reparteve të forcave speciale.

Por asnjëri prej tyre, prej dhjetë muajsh tashmë nuk ka marrë asnjë nga dietat që u takon për punë e bëra jashtë qytetit, apo juridiksionit të drejtorive, komisariateve dhe reparteve ku bëjnë pjesë.

Kreu i sindikatës së punonjësve të policisë së shtetit, Sadetin Fishta, thotë, se një polici, shteti i detyrohet rreth 2.5 milionë lek të vjetra, dietat të papaguara.

 “Ka që në janar të këtij viti, një pjesë e reparteve speciale, një pjesë tjetër që nga marsi i këtij viti, që kanë kryer me qindra shërbime jashtë rrethit dhe që kanë konsumuar ligjërisht të drejtën për të marrë dietat, për kohën që ata kanë punuar. Vetëm sot, shteti, një punonjësi policie i ka borxh 250 mijë lek të reja, për t’i likujduar për dietat për punën që ka kryer.”

Në këtë shkresë që Top Channel disponon, vetëm një repart i forcave speciale në Tiranë, ka bërë kërkesë për rreth 43 milionë lek të reja, për të paguar dietat e efektivëve, për shërbimet që ata kanë kryer gjatë kohës së tërmetit, por jo vetëm, duke numëruar 691 shërbime në disa qytete.

Sadetin Fishta, paralajmëron se nëse gjendja vazhdon e tillë, do të merren vendime nga ana e degëve sindikale.

“Do bëhet një mbledhje e përgjithshme edhe të degëve sindikale të forcave speciale, që në qoftë se, do të vazhdohet me këtë situatë, do të merret një vendim që të refuzohet dalja në shërbime jashtë rrethit, përsa kohë qeveria nuk bën pagesat e dietave”.

Sipas kreut të kësaj sindikate, problem, së fundmi është bërë edhe bllokimi i pagesave për orët shtesë dhe orët e natës, ndërkaq, Top Channel ka mësuar, se në vështirësi për pagesat e dietave, është edhe Garda e Republikës së Shqipërisë.

Top Channel