Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, tha në “Top Talk”, se i ka kërkuar opozitës që presidenti Meta të shpërndajë parlamentin.
Sipas tij ai ka kompetencat e duhura për ta bërë një gjë të tillë, pasi në gjykimin e zotit Mediu dhe opoiztës në përgjithësi, veprimet e kryeministrit Rama dhe aktiviteti parlamentar, janë anti-kushtetuese.
Fatmir Mediu: Unë kam kërkuar në tryezën e opozitës që opozita nuk duhet ta lidhë veten me qëndrimet që mban presidenti, apo me veprimet që bën Edi Rama në Kushtetutë. Kam kërkuar që opozita në mënyrë të qartë t’i kërkojë Presidentit të Republikës, në qoftë se parlamenti injoron dekretin e presidentit, shpërndarjen e parlamentit. Jo vetëm për shkak se ky parlament është anti-kushtetues por po e çon Shqipërinë në një krizë shumë të rëndë politike dhe Kushtetuese. Sepse në bazë të kushtetutës janë liritë dhe të drejtat themelore.
Denis Dyrnjaja: Ju thoni që presidenti duhet të shpërndarë parlamentin. Në fakt Kushtetuta, në atë mënyrë se si është shkruar, i ndjeri Sabri Godo, ish-kryetar i Partisë Republikane ka qenë hartues i saj. Është thënë qartë dhe prerë kur mund të shpërndahet parlamenti. Nuk është ky një rast, nga pikëpamja kushtetuese ë mund të ndodhë kjo gjë.
Fatmir Mediu: Kjo është një çështje që ne mund ta debatojmë me njëri-tjetrin. Unë nuk jam këshilltari juridik i presidentit. Presidenti ka marrë qëndrim publik në raport me kuvendin, në qoftë se do të shkelin Kushtetutën, do të shpërndajë parlamentin, e ka përsëritur këtë qëndrim edhe kohët e fundit. Ka të gjitha aftësitë për ta gjykuar kushtetutën siç bëjmë ne debat me njëri-tjetrin dhe stafin e nevojshëm, për të cilësuar veprimet kushtetuese, e jo kushtetuese. Por nga ana tjetër ka edhe një gjë që nuk ka më sens, për faktin se ne kemi veprim anti-kushtetues të Edi Ramës, anti-kushtetues të parlamentit dhe kërkojmë t’i përgjigjemi, mekanizmave Kushtetuese në një kohë që edhe institucionet kushtetuese që merren me trajtimin e kësaj çështje, nuk ekzistojnë. Në mënyrë të qëllimshme të shkatërruar nga Edi Rama, për të krijuar këto situata.
Top Channel