Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë kërkuar nga qytetarët që të kenë më shumë disiplinë në respektimin e masave kundër COVID-19, që të përjashtohet mundësia e karantinës.

Ministri Zemaj ka thënë pas takimit me Ahmetin, se me disiplinë dhe përkushtim, mund ta “mbajmë gjallë ekonominë dhe jetën publike”.

Ai ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë për ta mbajtur nën kontroll situatën epidemiologjike.

“Krejt çka po kërkohet është respektim i masave. Rritja e numrit këtyre ditëve është mosdisiplina individuale e njerëzve, individë dhe atyre që kanë përgjegjësi, qoftë edhe në institucionet tona publike. Grumbullimi i panevojshëm nuk i konvenon askujt. Mosdisiplina nuk i konvenon askujt, pa marrë parasysh çfarë pozicioni ka”, ka thënë Zemaj.

Sipas tij, Kosova është një ndër pesë vendet me situatën pandemike më të mirë në Evropë.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka ngritur shqetësim për rritjen e rasteve me koronavirus në kryeqytet.

Ahmeti ka thënë se ka kërkuar nga qytetarët bashkëpunim në mënyrë që të mos kthehet sërish karantina.

“Qëllimi i takimit është që të mos ketë restrikcione shtesë. Po mundohemi që të mos ketë, me idenë që kjo nuk varet nga ministria dhe nga komuna, por nga qytetarët. Me të vërtetë nuk jemi të interesuar të ketë restrikcione shtesë, nuk jemi të interesuar të bëjmë karantinë, të reduktojmë orarin, por kjo varet vetëm nëse jemi në koordinim me qytetarët e Prishtinës, me idenë që ta ngadalësojmë pak”, ka thënë Ahmeti.

Prej gjysmës së muajit marsi, kur u paraqitën rastet e para me koronavirus, e deri më 26 tetor, në Kosovë janë regjistruar 18,148 të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 666 pacientë kanë vdekur dhe 15,150 janë shëruar.

Raste aktive me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, janë 2,332./REL/

Top Channel