Çarls Dikensi dhe Hans Kristian Anderseni u takuan për herë të parë në një pritje në verën e vitit 1847. Anderseni nuk ishte ende i njohur në Angli (përrallat e tij po përktheheshin nga danishtja për herë të parë), dhe ai ishte yll në ngjitje.
Ai iu prezantu Dikensit shumë më të famshëm dhe duke e quajtur “shkrimtarin më të madh të kohës sonë”. Diçka e bukur. Mbase pak e tepërt ta thuash, por gjithsesi e bukur. Patën një bisedë miqësore, dhe më pas, Anderseni u shkroi një letër miqve në Danimarkë, shumë i ngazëllyer që Dikensi kishte përmbushur pritshmëritë e tij. Edhe Anderseni me sa duket la një përshtypje të mirë tek Dikensi, sepse disa javë më vonë, i dërgoi një pako me disa nga librat e tij dhe një shënim personal. Ndoshta ky gjest i dha pak si tepër zemër Andersenit meqenëse i dërgoi rregullisht letra gjatë nëntë viteve të ardhshme.
I mërzitur nga letërkëmbimi, në vitin 1856 Dikensi, në një letër të mbushur me lajka të çuditshme që shpesh thonë pak ose aspak ngaqë përmban thjesht formula mirësjelljeje, përmend në mënyrë të pasinqertë dhe të guximshme se Anderseni ishte i mirëpritur të qëndronte në familjen e tij, nëse ndodhte që ndonjëherë të ishte këtej. Gjë që absolutisht, nuk e kishte me të vërtetë. Por në mars të vitit 1857-të, Anderseni i shkroi me ngazëllim Dikensit për t’i treguar se po udhëtonte për në Angli, për vetëm dy javë, dhe kjo sepse e kishte pranuar ofertën e tij. Dhe kështu, në qershor të atij viti, Anderseni mbërriti në Gad’s Hill, prona e Dikensit në Higham, gati të bëhej shok dhome me heroin e tij.
“Vizita ime është vetëm për ju”, – shkroi ai. “Përherë lini për mua pak vend në zemrën tuaj”. (Nëse Anderseni s’do të dukej kaq shumë i këndshëm, përvoja do të ngjante si film horror. Unë e kam parë vetë këtë film horror). Edhe pse familja Dikens po e priste, në një farë mënyre, ata kurrë s’e kishim çuar në mend këtë vizitë. Anderseni, i ngathët në marrëdhëniet shoqërore dhe me sa duket një nga të përkëdhelurit letrarë prijës të shekullit XIX-të, nuk ishte i mirë në përshtatjen me zakonet shoqërore ose mënyrat e të sjellurit zyrtar, duke kërkuar në një mënyrë ose tjetër të ishte në qendër të vëmendjes. Pasi u rehatua, i kërkoi njërit prej djemve të Dikensit ta ndihmonte me rruajtjen e përditshme të mjekrës, duke sqaruar se ky ishte zakon mirëpritjeje për mysafirët meshkuj në Danimarkë.
I çuditur, Dikensi i rezervoi një takim të përditshëm tek një rrojtore aty pranë. Një natë, gjatë darkës, kur Dikensi zgjati njërin krah për njërën nga zonjat e pranishme, Anderseni doli me vrull para dhe e kapi vetë për krahu për të shkuar kapur për krahu me të në dhomën e ngrënies. Për të mos përmendur faktin se ndenji tre javë, më gjatë nga sa kishte pohuar fillimisht.
Tani, Dikensi s’ia kalonte mirë kurdo që kishte mysafir shtëpie (e jo më një të tillë kaq harraq). “Vogëlushja Dorit” nuk po pritej edhe aq mirë nga kritika, dhe ai po përpiqej ta linte bashkëshorten për një grua që kishte gjysmën e moshës së vet. Pëveç kësaj, luante në dramën e mikut të tij Uilki Kollins, “Të kallkanosurit”. Pra, nuk kishte kohë për të sepse ishte angazhuar në shumë gjëra të rëndësishme. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, Anderseni ishte edhe tip i vështirë për ta pasur në shoqërinë tënde. Në premierën e dramës ku Dikensi luante rolin kryesor dhe në audiencë ishte mbretëresha Viktoria, Anderseni shpërtheu në lot me zë të lartë. Pas kësaj, me sa duket ndenji i zymtë sepse prania e tij në këtë ngjarje nuk u vu re më shumë.
Pastaj kur mësoi se për një nga veprat e tij ishte shkruar një recensë negative, doli me vrap i shqetësuar në lëndinën e familjes Dikens dhe qau plot pasion. Pavarësisht nga ky spektakël, Kate, vajza e Dikensit, tha se ishte “i mërzitshëm” për vdekje”. Është hamendësuar nga disa se Dikensi mund ta ketë mbështetur tek mysafiri i tij personazhin e pikëlluar dhe servil të Uriah Heapit në romanin “David Koperfild”. Hamendësohet gjithashtu se Andersen e mbështeti personazhin e Rosakut Shëmtaraq tek vetja. Dikensi u ankua shumë herë për mysafirin në letrat që shkroi, ngaqë s’kishte gjë ku të mos përfshihej për shkak të kureshtjes së tij të çuditshme.
I rritur në fshat, Anderseni dyshonte se mund të vidhej nga ndonjë hajdut xhepash në qytet, dhe Dikensi shkroi në mënyrë sarkastike se një herë, një shofer taksie ndoqi nëpër Londër një rrugë ndryshe nga ajo e zakonshmja, dhe kjo e bëri Andersenin të arrijë në përfundimin se shumë shpejt do të grabitej dhe vritej, kështu që i futi të gjitha sendet në çizmet që mbante veshur, orën, paratë, orarin e trenit, “një bllok shënimesh, një palë gërshërë, një “brisk xhepi” dhe disa sende të tjera, siç duket, dy libra të vegjël. Këmbët iu bënë plagë, s’mund të mos përmendte me këtë rast Dikensi.
Dikensi po kështu dyshonte për përkushtimin e Andersenit ndaj të shkruarit, duke u ankuar se: “ai veç bënte zbukurime me letra të prera duke krijuar gjithçfarë modelesh, dhe sajonte buqeta të vogla me lule të çuditshme të mbledhura në pyll”. E zbukuroi kapelen e Uilki Kollinsit me një varg luledelesh, e cila e bëri pa e kuptuar fare objekt talljeje në qytet. Por fyerja më e rëndë ishte për aftësitë e shkrimit dhe të të folurit të Andersenit. Dikensi i tha një shoku kur e ftoi në shtëpi se: “Hans Kristian Anderseni mund të jetë me ne, por s’ke për ta vënë re praninë e tij, sepse s’flet asnjë gjuhë përveç danishtes, dhe ka dyshime se as danishten s’e di”. Ai u ankua edhe se: “Nuk shqiptonte dot në italisht titullin e librit të vet “Improvisatore” ndërsa përkthyesi i tij duket se ka kuptuar që Anderseni s’e flet as gjuhën daneze”. Sa për frëngjishten “e flet si ai i gjeturi që jetonte që i vogël me kafshët, kurse anglishten si nxënës i shkollës së shurdhmemecëve”. Sarkazëm që me thënë të vërtetën tregon një ligësi të pabesueshme. Pasi Anderseni u largua nga shtëpia e Dikensit (e ndjeu se s’ishte më i mirëpritur, dhe qau edhe me rastin e largimit të tij), ai dërgoi një letër ku i kërkonte ndjesë. “Kini mirësinë të harroni” lutej, “aspektin e papëlqyer që jeta jonë së bashku mund të të ketë treguar për mua”.
Vetë Dikensi, shkroi një shënim në pasqyrën e dhomës së mysafirëve: “Hans Anderseni ka fjetur në këtë dhomë për pesë javë, por familjes iu dukën SHEKUJ!”
Pavarësisht se të dy burrat me këto sjellje në mënyra të ndryshme s’dalin edhe aq të mëdhenj (Anderseni ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe Dikensi veçse tregohej i keq), kjo histori na kujton se ndërsa ndonjëherë edhe mund ta takosh heroin tënd…me adhuruesin tënd puna është krejt ndryshe dhe ndoshta thjesht s’duhet ta lejosh të jetoj me ty. Në shtëpinë tënde.
Revista letrare “Lithub”, mars 2020.
Përktheu: Granit Zela
Top Channel