Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se në takimin e së premtes me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atë të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk është diskutuar për pozitën e presidentit të Kosovës.

Sipas tij, në takim me partnerët e koalicionit është diskutuar për buxhetin.

“Këto tema nuk i kemi diskutuar, çështjen e presidentit, çështjen e koalicioneve, sepse nuk jemi ne ata që mund ta bëjmë atë punë. Unë vlerësoj që kjo çështje nuk është mirë që të hapet tani përderisa e kemi presidentin në zyrë, e ka mandatin kushtetues”, ka deklaruar Mustafa pas takimit.

Megjithatë ai ka nuk ka përjashtuar zgjedhjet.

“Në rast se do të ballafaqohemi me ndonjë mandat kushtetues për një arsye apo arsyen tjetër, atëherë mendoj që ka vullnet shpejt të ulemi, të bëjmë përpjekje të gjejmë zgjidhje. Në qoftë se gjejmë zgjidhje, si zgjidhje të vullnetshme, me të cilat nuk pajtohemi vetëm ne si liderë politikë, por pajtohen edhe partitë tona, sepse nuk është çështje ajo personale, atëherë shkojmë më tutje. Nëse jo, të gjithë ne jemi të përgatitur që të shkojmë në zgjedhje, nëse dështojmë ta zgjedhim presidentin në afatin që e përcakton kushtetuta”, ka deklaruar ai.

Edhe Haradinaj ka thënë se takimi i së premtes ishte kryesisht për një agjendë të përbashkët për aprovim të dytë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

I pyetur nëse do të bëhet presidenti i Kosovës, Haradinaj ka thënë:

“Nuk e kam përgjigjjen në këtë temë aktualisht dhe në të ardhmen do ta rregullojmë bashkë se si do të shkojnë këto procese. Me rëndësi është që Kosova ta ruajë qëndrueshmërinë, të mos ketë lëkundje”, ka deklaruar ai.

Mustafa: Askush nuk e di çfarë po ndodhë me Specialen

Kreu i LDK-së, kur është pyetur nëse ka komunikuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me punën e Gjykatës Speciale, tani kur edhe pak skadon afati prej gjashtë muajsh për gjykatësin e procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara në Hagë, për të konfirmuar ose refuzuar aktakuzën ndaj tij dhe të tjerëve, Mustafa ka thënë se nuk ka informata për këtë çështje.

“Unë mendoj që as presidenti dhe asnjëri prej atyre që nuk u është përmendur emri nuk e dinë se çfarë po ndodh me Specialen, sepse askush nuk ka informata çfarë ndodh atje, dhe po ashtu nuk e dimë se kur mund të veprojë Prokuroria e Gjykatës Speciale me ngritje të aktakuzave apo mosngritje, sepse ajo ka mundësi të mos bëhet publike në një periudhë të caktuar”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ndërkohë ka thënë se drejtësia e ka vërtetuar luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne besojmë se nuk do të ketë konfirmim të aktakuzave. Nëse ka, ne nuk lëkundemi nga besimi, luftën e drejtë të UÇK-së dhe në pastërti, pafajësi të luftëtarëve të UÇK-së, të të gjitha niveleve”, ka shtuar mes tjerash ai.

Dhomat e Specializuara në Hagë nuk e kanë njoftuar ende publikun nëse aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është konfirmuar apo hedhur poshtë.

Të shtunën, më 24 tetor, skadon afati prej gjashtë muajsh për gjykatësin e procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara në Hagë, për të konfirmuar ose refuzuar aktakuzën, plotësisht ose pjesërisht.

Megjithatë, sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të këtyre Dhomave, një gjyqtar, në rrethana të jashtëzakonshme – nëse një prokuror i specializuar paraqet arsye të vlefshme përpara se të konfirmohet aktakuza – mund të lëshojë urdhër të përkohshëm për moszbulimin e aktakuzës para publikut, “për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, ose për të parandaluar ndonjë ndërhyrje tjetër në procedurë, ose trazirat shoqërore”.

Ende nuk dihet nëse aktakuza ndaj Thaçit, është konfirmuar apo hedhur poshtë

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave “të tjerë”, emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë. rel/

Top Channel