Gazetari Adriatik Doçi, ka bërë gjatë kësaj periudhe një investigim në lidhje me nënshtetësitë e lëshuara nga institucioni i Presidencës dhe nga vetë presidenti Ilir Meta.

I ftuar në “Top Talk” Doçi tha se në investigimin e tij ka mbledhur raporte dhe nga dhënia e nënshtetësive të dy presidentëve të mëparshëm, Bujar Nishanit dhe Bamir Topit. Sipas gazetarit, në harkun kohor të 10 viteve dy presidentët, Topi-Nishani kanë lëshuar 76 nënshtetësi, ndërsa presidenti Meta sipas tij në harkun kohor të tre viteve ka lëshuar 419 nënshtetësi.

Doçi theksoi se Ministria e Brendshme do të bëjë verifikimin e lëshimit të nënshtetësive të zakonshme dhe jashtëzakonshme për të parë nëse cenohet siguria kombëtare. Gjithashtu shtoi se investigimi i tij do të vijojë, për të verifikuar nëse nënshtetësitë e lëshuara për bashkime familjare, jetojnë apo jo në Shqipëri.

Adriatik Doçi: Gjatë një investigimi gjithmonë ke dyshime dhe duhet të konfirmosh të gjitha versionet. Unë në këtë rast bëra një krahasim si kanë vepruar dy presidentët më përpara dhe si ka vepruar presidenti aktual, sa është numri i nënshtetësive të veçanta që kanë dhënë dy presidentët dhe sa është i presidentit aktual. Nëse presidenti aktual ka dhënë 419 nënshtetësi të veçanta për interesat kombëtar për tre vite. Presidentët Bamir Topi dhe Bujar Nishani, në harkun kohor të 10 viteve kanë dhënë vetëm 76-të nënshtetësi me vullnetin e tyre për interes kombëtar. Për 10 vite 76 nënshtetësi, për 3 vite 419 nënshtetësi nga presidenti Meta.

Denis Dyrnjaja: Në raport me dy presidentët paraardhës, zoti Meta është më i ndjeshëm në përkujtimet e ngjarjeve historike dhe të personaliteteve të ndryshme, kjo është një gjë e dukshme. Ndoshta kanë qenë ata më të tërhequr në këtë linjë.

Adriatik Doçi: Ka disa shpjegime për këtë, ose gjatë presidencës tre vjeçare të presidentit Meta janë shtuar heronjtë dhe asetet kombëtare në Kosovë dhe diasporë, ose presidenti Meta ka bërë pazare me dhënien e nënshtetësive duke abuzuar me pikën shtatë, të nenit 9 të ligjit të vjetër i cili tani nuk është më në fuqi.

Denis Dyrnaja: Ka një tezë që ministria e Brendshme është futur si një pykë në këtë procedurë për të bërë një verifikim ekstra dhe mendohet nga presidenca dhe njerëz që interpretojnë kushtetueshmërinë që është një tentativë për t’i marrë Presidentit të Republikës edhe një tjetër kompetencë ndërkohë. Ju mund të jeni një shërbëtor i kësaj teze.

Adriatik Doçi: Verifikimi parashikohet edhe në ligjin e vjetër, që nuk është më në fuqi, është pika e 6-të e nenit 9-të, e cila parashikon që edhe në dhënien e nënshtetësisë të zakonshme apo të jashtëzakonshme personat duhet të verifikohen në kuadër të mos cenimit të sigurisë kombëtare, në të dy rastet. Dhe institucioni kryesor që kryen verifikimet është Ministria e Brendshme sepse Presidenca nuk ka kapacitete dhe nuk është e atribuuar me ligj për të kryer këtë verifikim. Në rastin konkret ne kemi rastin e futbollistit afrikan, i cili ka marrë nënshtetësinë për disa orë brenda një dite, ku nuk pretendohet të jetë bërë një verifikim të paktën formal sa për të zbatuar ligjin. Për t’u ndalur këtu, duke parë këtë abuzim masiv të këtyre gjatë viteve, Kuvendi miratoi një ligj të ri dhe e la sërish në fuqi dhënien e nënshtetësisë për raste të veçanta, por parashikoi ngritjen e një institucioni të posaçëm brenda Ministrisë së Brendshme për të kryer verifikimet për këto raste, nëse ka raste që mund të cënojnë apo jo sigurinë kombëtare, jo për më shumë për shqiptar të Kosovës dhe Maqedonisë, por për shtetas që mund të vijnë nga vendet arabe, të cilët ndonjëri prej tyre mund të ketë lidhje me qarqet terroriste.

Denis Dyrnjaja: Mbaron me kaq investigimi yt për këtë çështje apo do të thellohesh më tej dhe mendon se ke informacione të tjera dhe ky skandal ka dimensione të tjera.

Adriatik Doçi: Skandali i dhënies së nënshtetësisë do të marrë një tjetër rrjedhë në ditën në vijim sepse po vazhdojmë të verifikojmë rast pas rasti, për çdo emër nëse personat që pretendon presidenti Ilri Meta se i ka dhënë për bashkim familjar, jetojnë apo jo në Shqipëri. Pra është e bazuar vendimmarrja e presidencës, këto persona jetojnë në Shqipëri, kanë interes të vërtetë për të jetuar në Shqipëri dhe për të jetuar, apo thjesht kanë marrë një pasaportë me këtë formë dhe vazhdojnë të lëvizin të lirë për në Evropë.

Top Channel