Çfarë kërkon Gert Bogdani në foton me ish-ministrin e arrestuar nga Zimbabve për aferë korruptive/ Ja si përgjigjet Basha

19/10/2020 13:39
Fotoja e shpërndarë në media, ku prezent është ish-deputeti Gert Bogdani

Kreu i PD, Lulzim Basha në një konferencë për shtyp sot foli për ligjin anti mafia si një prioritet që ai do e këtë nëse do marrë qeverisjen.

Ashtu siç ai vetë e përmendi në hyrje të fjalës së tij, kur tha se ish kreu i bashkisë së Veronas ishte arrestuar, po ashtu edhe ministri i Shëndetësisë i Zimbabve, për aferat publike dhe i quajti ata peshq të mëdhenj, Top Channel e pyeti nëse ai e ka pyetur ish-deputetin e PD Gert Bogdani për një foto që qarkullon në media, ku ky i fundit shfaqet në prezencën e ministrit të Zimbabve i arrestuar për një aferë korruptive rreth 60 mln dollarë.

I pyetur se nëse e ka pyetur Bogdanin për këtë çështje, kreu i PD nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes së Top Channel, por tha shkurtimisht se: çdo person i PD është një në dispozicion të drejtësisë për gjithçka, duke filluar nga unë i pari.

Top Channel