Rastet e përditshme të COVID-19 kanë arritur nivele rekord në të gjithë botën, veçanërisht në Evropë dhe kontinentin amerikan, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se “Vendet kanë reaguar ndryshe dhe janë prekur ndryshe. Pothuajse 70% e të gjitha rasteve të raportuara në shkallë globale javën e kaluar ishin nga 10 vende, dhe pothuajse gjysma e të gjitha rasteve ishin nga vetëm tre vende.”
Shtetet e Bashkuara kishin më shumë infeksione të reja në 24 orët e shkuara se çdo vend tjetër, 63,610. Në anën tjetër 80% e vendeve të Evropës po përjeton rritje të ndjeshme në rastet e COVID-19.
Në Britani, ku Universiteti Johns Hopkins raportoi gati 19,000 raste të reja të premten, Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se do ta detyronte Mançesterin e Madh të vendoste nivelin më të rreptë të kufizimeve të koronavirusit të vendit pasi zyrtarët lokalë refuzuan të vendosnin kufizime në zonat me norma të larta infektimi. Të shtunën, Franca fillon ndalim-qarkullimin nga ora 21:00 deri në 6 të mëngjesit për rajonin e Parisit dhe të paktën shtatë qytete të tjera.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 shteteve të vendit kanë rënë dakord të vendosin një raund të ri kufizimesh mes të cilave mbylljen herët të bareve dhe restoranteve dhe kufizimin e numrit të njerëzve që lejohen të mblidhen në publik. Italia raportoi më shumë se 10,000 infeksione të reja gjatë 24 orëve të fundit të Premten, numri më i lartë ditor që nga fillimi i pandemisë në vend. Që nga mesdita e së Premtes, kishte më shumë se 39 milion raste COVID-19 në të gjithë botën dhe më shumë se 1.1 milion vdekje globale COVID-19, sipas Universitetit Johns Hopkins.
Top Channel