Festat në shtëpi ndalohen për më shumë se 6 persona, banketet mbahen me maksimumi 30 vete, njerezit nuk do të qëndrojnë më përpara bareve e restoranteve dhe as te grupuar nëpër rrugë, ekskursionet shkollore do të pezullohen: Italia ka vendosur të marrë një sërë masash të tjera të forta kundër përhapjes së koronavirusit.
Por kur vjen fjala tek shkollat, ministrja e arsimit nuk lëkundet.
“ Fëmijët janë të lumtur që u kthyen nëpër klasa dhe aty duhet të qëndrojnë”, tha Luccia Azzolina, e cila mbështet me forcë idenë që shkollat të mbeten hapur.
Në disa rajone të vendit, ishte hedhur ideja që mësimi të zhvillohej vetëm në distancë. Dekreti qeveritar i masave të reja anti-covid ne Itali i bën të detyrueshme maskat në ndertesa publike por edhe në rrugë.
Madje thuhet se ato duhen mbajtur edhe në shtëpi në praninë e personave që nuk janë pjesëtarë të familjes. Rastet e përditshme të koronavirusit u dyfishuan javën e kaluar, duke arritur në 5,000 të premten, hera e parë që prej muajit mars, ndërsa të shtunën shkuan në gati 6,000. Edhe pse patën një rënie të lehtë këto dy ditët e fundit, shifrat zakonisht ne kete vend kane pesuar rritje nga mesi i javës.
Top Channel