Princi William i ka dedikuar 65 milionë dollarë krijimit të një çmimi të ri për ambjentin, në përpjekje për të frymëzuar zgjidhje për disa nga sfidat më të mëdha të planetit.
Në një intervistë për CNN, Princi tha se ai mendonte se çmimi do të ishte më prestigjozi për ambjentin deri më sot dhe se ai synon të ndryshojë rrjedhën e debatit nga pesimizmi dhe negativiteti në optimizëm dhe shpresë.
Duke filluar në 2021, çmimi Earthshot, do të ndahet çdo vit për pesë persona, organizata apo grupe, për zgjidhjet ndaj pesë objektivave; mbrojtja dhe restaurimi i natyrës, pastrimi i ajrit, rijetësimi i oqeaneve, ndërtimi i një bote pa mbetje dhe korrigjimi i klimës. Si rezultat, shpresohet të sigurohen të paktën 50 zgjidhje për probleme të ndryshme në secilën prej këtyre pesë fushave deri në 2030.
Pallati Kensington synon ta bëjë çmimin një nga më prestigjozët në histori. Çdo fitues do të marrë 1 milionë paund ose 1.3 milionë dollarë, pak më shumë se fituesit e çmimit Nobel. Për çmimet e para Earthshot, nominimet do të hapen më 1 nëntor. Një ceremoni vjetore e ndarjes së çmimeve do të mbahet në një qytet të ndryshëm çdo vit, duke filluar me Londrën në vjeshtën e 2021.
Top Channel