Sesionin parlamentar, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e çeli me një fjalim të gjatë, në të cilin i referohej Jeruzalemit si “qyteti ynë”, një përkufizim ky që u raportua me shpejtësi nga mediat izraelite. Erdoğan iu referua sundimit të Perandorisë Osmane mbi Jeruzalemin, i cili zgjati katër shekuj, nga 1517 deri në 1917, për të justifikuar pretendimin e tij.
“Në këtë qytet, të cilin na u desh ta lëmë mes lotësh gjatë Luftës së Parë Botërore, ende mund të gjesh gjurmë të rezistencës Osmane. Kështu që Jeruzalemi është qyteti ynë, një qytet nga ne ”, tha kreu i shtetit turk. Erdogan përmendi se muret e Jeruzalemit që ende qëndrojnë në këmbë sot, si dhe Kupola e Shkëmbit në Qytetin e Vjetër, u rindërtuan dhe restauruan nga Sulejmani i Madhërishëm, i cili sundoi në Perandorinë Osmane nga 1520 deri në vdekjen e tij në 1566.
“Çështja e Jeruzalemit nuk është një problem i zakonshëm gjeopolitik për ne,” tha Erdoğan. “Së pari, pamja aktuale e Qytetit të Vjetër, e cila është zemra e Jeruzalemit, u ndërtua nga Sulejmani i Madhërishëm, me muret e tij, pazarin , dhe shumë ndërtesa. Paraardhësit tanë treguan respekt për shekuj me radhë duke e mbajtur këtë qytet kaq të vlerësuar”, u shpreh Erdogan duke shtuar se Sulejmani njihej për mbrojtjen e nënshtetasve hebrenj të perandorisë së tij përmes reformave të paprecedent për kohën, dhe besohet se ka pasur nënë hebraike.
Pas kësaj, presidenti turk iu kthye çështjes palestineze, duke deklaruar se e “e konsiderojnë nder në emër të vendit dhe kombit tonë shprehjen e të drejtave të popullit të shtypur palestinez, me të cilin, siç tha, kemi jetuar prej shekujsh.
Top Channel