Milot Rashica mbetet tek Werder Bremeni në Bundesligë, edhe pse ka qenë një nga emrat më të përfolur të merkatos. Ofertat për të nuk kanë munguar, por asnjëra prej tyre nuk i ka bindur drejtuesit e klubit.

Dita e fundit e merkatos ka qenë shumë intensive për lojtarin dardan, i cili thuajse u transferua te Bayer Leverkuseni, por në momentin e fundit, edhe për efekt kohe, marrëveshja dështoi.

24-vjeçari kishte gjetur gjuhën e përbashkët me “Aspirinat”, madje, sipas medieve gjermane, e kishte hedhur edhe të zeën mbi të bardhë, por në fund klubet nuk ranë dakord për mënyrën e transferimit. Leverkuseni këmbënguli për huazim me të drejtën e blerjes, ndërsa Werderi nuk hoqi dorë nga kërkesa për shitjen përfundimtare. Në kushtet kur edhe koha nuk favorizonte vijimin e kontakteve, drejtuesit e “Aspirinave” hoqën dorë nga Rashica.

“Ka patur bisedime që nga mesdita e sotme, por ne nuk donim ta shisnim lojtarin nën vlerën e tij reale. Negociatat ishin komplekse. Në fund, nuk kishte kohë të mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje”, – tha drejtori sportiv i Werder Bremenit, Frank Baumann, në një konferencë shtypi, të hënën në mbrëmje.

Top Channel