Strasbourg refuzon tre oferta për Simakan, Milani nuk afron dot qendërmbrojtës

05/10/2020 23:59

Afrimi i një qendërmbrojtësi ishte objektivi primar i Milanit në ditën e fundit të merkatos, por pavarësisht ëprpjekjeve të shumta, në fund dyshja Maldini-Massara u dorëzuan dhe nuk arritën të kënaqin dëshirën e Piolit.

Objektivi i parë i kuqezinjve ishte Antonio Rudiger, por Chelsea theksoi se mund ta japë mbrojtësin gjerman vetëm në huazim të thjeshtë, pasi beson ende te ai dhe dëshiron ta rikthejë në Londër verën e ardhshme, kusht ky që është hedhur menjëherë poshtë nga Maldini.

Drejtuesit e Milanit provuan edhe për turkun Ozan Kabak, negociatat me të cilin ishin hapur prej disa ditësh, por në fund Schalke 04 vendosi ta heqë nga merkatoja, pasi nuk kishte kohë që ta zëvendësonte me futbollist tjetër.

Emri për të cilin dyshja Maldini-Massara provuan deri në minutat e fundit, ishte mbrojtësi 20-vjeçar i Strasbourgut, Mohamed Simakan, por klubi francez rezistoi dhe refuzoi 3 oferta radhazi të kuqezinjve.

Pasi arritën marrëveshjen me mbrojtësin francez, drejtuesit e Milanit ofruan herën e parë 12 milionë euro + 20% në rast rishitjeje, herën e dytë 12 milionë euro + 3 bonus + 20 % në rast rishitjeje dhe herën e tretë 15 milionë euro + 20% në rast rishitjeje.

Megjithatë klubi francez refuzoi në të tre rastet dhe tani Stefano Pioli do të duhet të “kryqëzojë gishtat” për një rikuperim sa më të shpejtë të emrave si Romagnoli, Duarte e Musacchio, pasi momentalisht ka në dispozicion vetëm danezin Kjaer dhe dy të rinjtë Gabbia e Kalulu.

Top Channel