Rusia po shton sistemet për njohjen e fytyrës, Organizata për të drejtat e njeriut shprehet e shqetësuar

02/10/2020 12:56

Organizata Human Rights Watch (Të drejtat e njeriut ) ka kritikuar planet e Rusisë për të zgjeruar përdorimin e sistemeve të njohjes së fytyrës.

HRW është e shqetësuar se një projekt i tillë paraqet kërcënim ndaj privatësinë.

Gazeta Kommersant njoftoi javën e kaluar se kamerat CCTV (kamera vëzhguese) me softuer të njohjes së fytyrës, do të instalohen në hapësirat publike dhe në hyrjen e ndërtesave të apartamenteve, në 10 qytete në të gjithë Rusinë, me qëllim të, siç është thënë, mbrojtjes së sigurisë publike.

Teknologjia është përdorur tashmë në Moskë, ku autoritetet po planifikojnë të zgjerojnë përdorimin e saj në tramvaje dhe trena nëntokësorë.

“Autoritetet ruse duhet të jenë të përgatitura t’i përgjigjen pyetjeve të vështira për të dëshmuar se nuk po dëmtojnë të drejtat e njerëzve duke pretenduar se po mbrojnë sigurinë publike”, tha Hugh Williamson, drejtor i Evropës dhe Azisë Qendrore në HRW.

Zbatimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës në të gjithë vendin është kritikuar nga grupi ndërkombëtar i të drejtave të njeriut Amnesty International, i cili ka paralajmëruar se ky projekt “do të kishte një efekt tronditës” mbi protestuesit, si dhe grupet e privatësisë dhe avokatët e të drejtave digjitale në Rusi.

Ligjet ruse të sigurisë kombëtare dhe praktikat e mbikëqyrjes “u mundësojnë agjencive të zbatimit të ligjit të kenë qasje në çdo të dhënë në emër të mbrojtjes së sigurisë publike”, sipas HRW.

Ndërkohë, organizata joqeveritare Roskomsvoboda ka dokumentuar të paktën shtatë raste kur banorëve të Moskës, u janë publikuar të dhënat personale në internet.

Hetuesit në Moskë po zhvillojnë një hetim penal për shitjen e pretenduar të të dhënave të njohjes së fytyrës nga dy zyrtarë të zbatimit të ligjit, por HRW tha se autoritetet “duket se nuk e njohin nevojën për vënien e kufijve të duhur në lidhje me mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave personale, që do të ndihmonte në parandalimin e shkeljeve të tilla të sigurisë”.

HRW tha se autoritetet ruse duhet të pezullojnë përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës në të gjithë vendin dhe “të ftojnë ekspertë të shoqërisë civile dhe politikëbërës të përfshihen në një debat në lidhje me domosdoshmërinë dhe ligjshmërinë e përdorimit të mbikëqyrjes së njohjes së fytyrës”. rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA