Sot ndeshja Young Boys – Tirana/ Në Bernë për Europa League

01/10/2020 12:29

Tirana është klubi i vetëm shqiptar që konkuron në arenën evropiane. Skuadra 25 herë kampione e Shqipërisë është në fazën e Playoffit të europa league ku do të luajë ndaj Young Boys për të realizuar ëndrrën e për të bërë historinë e të kualifikohet në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.

Nëse ia dalin mbanë, bardheblutë do të bëhen skuadra e dytë shqiptare që arrin në këtë fazë të Europa League, pas Skënderbeut që e ka arritur një sukses të tillë 2 herë.

Sigurisht që Tiranën e pret një sfidë shumë e vështirë në Wankdorf stadion të Bernës pasi Young Boys e ka kthyer këtë impiant në fortesën e tij teksa që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar nuk njeh humbjë në shtëpi. Tirana vjen në këtë ndeshje me disa ndryshime të pësuara teksa ka parë t’i largohen emra të rëndësishëm, i fundit, Gentian Muca.

Përsa i përket formacionit, ka të ngjarë që në trajneri Egbo të hedhë në fushën e lojës të njëjtët lojtarë si në sfidën me Crvena Zvezdën me përjashtim të portierit, pasi përballë zviceranëve në fushë do të jetë blerja e re Visar Bekaj në vend të Ilion Likës.

Sfida mes Young Boys dhe Tiranës do të gjykohet nga një ekip arbitrash rusë me gjyqtar kryesor Sergei Karasev, i ndihmuar nga anësorët Valeri Danchenko dhe Dmitry Safjan, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Mikhail Vilkov.

Top Channel