Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik.
Ai ka theksuar se drafti i opozitës respekton dhe nuk e cenon marrëveshjen e 5 Qershorit, ndryshe nga Rilindja.
Meta gjithashtu ka përmendur se çdo akt që përmbys Marrëveshjen e 5 qershorit është atentat ndaj Kushtetutës dhe së ardhmes europiane të vendit.
“Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje. Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.
Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja. Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit. Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve.
Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim. Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit”, ka shkruar Meta.
Top Channel