Afrika përgezohet për luftën e bërë ndal Covid-19

24/09/2020 02:35

Pavarësisht vështirësive, shtetet afrikane kanë arritur ta menaxhojnë përhapjen e virusit në një shkallë të tillë që i ka sjellë dhe përgëzimet e kreut të Qendrave të Afrikës për Kontrollin e Sëmundjeve, John Nkengasong. Që prej shpërthimit të pandemisë në mars, Afrika ka regjistruar 1.4 milion raste të prekurish dhe gjithsej 34,000 të vdekur.

Shifra të tillë janë dukshëm më të ulëta se ato të viktimave në Europë, Azi apo Amerikë. Nkengasong mendon se ndërhyrjet e shpejta kanë luajtur rol të rëndësishëm në uljen e shkallës së infektimit. Kontinenti me rreth 1 miliard banorë, përbën më pak se 5 për qind të rasteve globale të infektimit si dhe 3.6 për qind të vdekjeve nga COVID-19.

Nkengasong i ka konsideruar të rreme sugjerimet se numri i rasteve të infektimit dhe të të vdekurve me koronavirus në Afrikë është më i vogël sesa është në të vërtetë.“Ne mund të mos i kemi regjistruar të gjitha rastet, ashtu sikurse shtetet tjera në botë.. por nuk po shohim njerëz këtu duke vdekur rrugëve apo duke u varrosur në varreza masive”, u shpreh ai.

Nkengasong, u ka atribuuar numrin e vogël të të infektuarve, “përpjekjeve të përbashkëta kontinentale”, duke u fokusuar në “rritjen e numrit të testimeve, gjurmimin e rasteve të kontaktit dhe vendosjes së maskave”.“Në shumë shtete, përfshirë Etiopinë, ku unë jetoj, nëse shkoni në rrugët e Adias Ababas, ju do të shihni pothuajse 100 për qind të njerëzve me maska”, ka thënë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA