Vedat Muriqi duket se do të duhet të presë për të bërë debutimin e tij me skuadrën e tij të re, Lazion.

Sipas medias italiane që u referohet atyre turke, sulmuesi i përfaqësueses kosovare, blerja më e re e skuadrës romane ka rezultuar pozitiv me Covid 19, një lajm ky që ende nuk ka gjetur konfirmimin nga klubi bardhekaltër.

Siyah Coraplilar ishte një prej gazetarëve që dhanë këtë lajm nëpërmjet një postimi në rrjetin social Tëitter teksa i uroi shërim të shpejtë Muriqit të diagnostikuar me coronavirus.

Lazio arriti të sigurojë shërbimin e Vedat Muriqit nga Fenerbahce gjatë merkatos së kësaj vere pas tratativave të gjata. Klubi italian derdhi në arkat e atij turk 20 milionë euro, 18 milionë si pagesë fikse dhe 2 milionë Euro të tjera në formën e bonuseve.

Javët e kaluara futbollisti udhëtoi drejt Romës për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën e re që do të jetë 5 vjecare me pagë 2.2 milionë Euro në sezon. Ditët e fundit Muriqi u kthye në Turqi për të marrë vizën dhe nëse konfirmohet pozitiviteti i tij me covid 19 atëherë krijohet një situatë delikate për të.

Muriqi do të duhet të hyjë në karantinë deri në momentin që të rezultojë negativ në 2 teste me tamponë dhe vetëm atëherë ai do të kthehet në Romë për të nisur aventurën e tij të re

Top Channel