Për të protestuar, jo luajtur/ Superiorja në fushë

19/09/2020 10:54

Skuadrat e Kategorisë Superiore do të kthehen në fushën e lojës, jo për të filluar kampionatin, por për të zhvilluar një protestë.

Ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë në mbledhjen e Ligës së Futbollit, pasditen e sotme, skuadrat do të hyjnë në fushën e gjelbër të stadiumeve ku secili prej kapitenëve të tyre do të lexojnë një letër ku shprehen kërkesat e Ligës si dhe konfirmimi i vijimit të bojkotit deri në plotësimin e tyre.

Skuadrat do të zbresin në fushën e lojës sipas kalendarit të përpiluar, dhe këtë fundjavë ishin parashikuar të luheshin ndeshjet e javës së dytë. Liga e Futbollit duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga beteja e saj ndërkohë që kërkon vetëm takim me kryeministrin Rama pasi sipas saj është i vetmi person që mund zgjidhë kërkesat e tyre.

Ndërkaq vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand duka iu drejtua kryeministrit të vendit Edi Rama me një letër të hapur ku theksonte se futbolli shqiptar është përfshirë në një situatë të pazakontë dhe në një ngërc të fortë teksa i kërkoi ndërhyrjen e kreut të qeverisë për zgjidhjen e tij.

Vlen të kujtohet se Liga e Futbollit ka 4 kërkesa; ulja e TVSH në masën 6%, faljen e gjobave dhe kamatvonesave për detyrimet tatimore, fiskale dhe te sigurimeve shoqërore, ligj të ri për sponsorizimet dhe shtrirjen e efektit të pezullimit të tatimit mbi të ardhurat për lojtarët në 2-10 vjet

Top Channel