Në Shqipëri, 416 makina elektrike/ Ja çfarë kërkon parku i mjeteve me zero ndotje

19/09/2020 15:14

Makinat elektrike po shihen gjithnjë e më shumë si një zgjidhje ekonomike dhe ekologjike në Shqipëri, një biznes që ka parë rritje të ndjeshme vitet e fundit.

Por, me gjithë përpjekjet për ta çuar para këtë sektor, mungesa e infrastrukturës shihet ende si një ndër problemet kryesore për zhvillimin e tij. Aktualisht në Tiranë numërohen shumë pak stacione karikimi për këto makina, të cilat po shtohen dita ditës.

Janë 416 mjete tërësisht elektrike sipas të dhënave të Drejtorisë së Transporteve që qarkullojnë sot në rrugët e Shqipërisë. Por, me gjithë kërkesën e shtuar dhe sanksionimit me ligj për nevojën e krijimit të njësive për karikimin e tyre, procesi për përgatitjen e infrastrukturës dhe kuadrit rregullator po ecën me ritme të ngadalta.

“Mungon kuadri rregullator, ajo që është më emergjente kullat e karikimit dhe tarifat e shërbimit. Kjo step individët dhe bizneset për të përdorur makinat elektrike në pamundësi të njësive të karikimit. Por, me rregullimin e tyre tregu nuk mund të ndalet më”, shprehet Evis Berberi, Drejtor i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë.

Sipas kreut të Agjencisë së Eficiencës së Energjisë Evis Berberi projekti pilot për vendosjen e kullave të karikimit pritet të nisë zbatimin vitin e ardhshëm.

“Jemi në fazën e studimit të fizibilitetit. Por, vitin tjetër do të nsë edhe projekti pilot për të parë nëse do ta zhvillojmë në Tiranë apo në Jug ku ka edhe fluks më të madh gjatë verës.”

Aktualisht këto makina gjejnë përdorim të gjerë tek shërbimet taksi si dhe institucionet shtetërore përmes flotave elektrike. Megjithatë, me qëllim nxitjen e përdorimit të tyre edhe nga individët qeveria miratoi këtë vit përjashtimin nga TVSH për makinat elektrike, teksa Drejtoria e Transportit nga ana tjetër ka zeruar tarifat e regjistrimit për herë të parë të tyre.

Top Channel