Tetë të vdekur, 144 të infektuar dhe 97 të shëruar, është bilanci i së premtes i personave të prekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se me rastet e reja, numri i të vdekurve ka arritur në 683.

Të vdekurit janë nga qytetet: Kumanovë, Shtip, Prilep, Tetovë, Strumicë, Vinicë dhe Kërçovë.

Për herë të parë në Shkup nuk është regjistruar asnjë i vdekur ndërkohë që vazhdon të mbetet qyteti me numrin më të lartë të të vdekurve.

Numri më i madh i të infektuarve nga testimi i 1,545 mostrave është në Shkup (27), Strumicë (15), Prilep (13), Tetovë (12) ndërsa numër më i vogël në 15 qytete tjera.

Në Klinikën Infektive në Shkup në kujdes mjekësor janë 75 persona, 42 prej të cilëve janë në oksigjenoterapi ndërsa në spitalin e qytetit në Shkup janë të shtrirë 32 pacientë, një prej të cilëve në aparat për frymëmarrje .

Nga 16,417 të diagnostikuarit me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, 13,732 persona janë shëruar ndërsa 2,002 raste janë aktive.

Si pasojë e situatës së krijuar me koronavius, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka prezantuar platformën kombëtare për ndjekjen e mësimit online nga 1 tetori, duke konfirmuar edhe zyrtarisht që për shkak të pandemisë nuk do të ketë kthim të nxënësve në shkolla.

“Qëllimi është që të ruhet procesi arsimor në kushte pandemie dhe të hapim mundësi të reja, të punohet në metoda dhe qasje të reja si përgatitje për të ardhmen. Futja e platformës si një risi duhet të sigurojë komunikimin midis mësuesve dhe studentëve në një mënyrë origjinale dhe krijuese”, ka deklaruar Zaev.

Nga Ministria e Arsimit kanë njoftuar se mësimin me prani fizike mund ta ndjekin vetëm fëmijët e klasave të para deri në të tretën, por në rast të paraqitjes së infektimeve edhe ata do të ndërpresin mësimin në klasa.

Top Channel