Paketa “Antishpifje” në Top Talk: Cukalli nuk na dëgjon njeri. Luarasi boll me fjalë, duhet një draft alternativ

18/09/2020 18:18

Paketa “Anti Shpifje”, u iniciua thuajse një vit më parë nga qeveria shqiptare, për të shërbyer si një rregullator për median më së shumti atë online. Por miratimi i këtij ligji hasi kundërshti të shumta nga grupet e interesit dhe gazetarë të ndryshëm. “Top Talk” e riktheu edhe njëherë në vëmendje këtë paketë, e për ta trajtuar më gjerë këtë paketë, të ftuar ishin pedagogia e gazetarisë Iris Luarasi dhe aktivisti Koloreto Cukalli.

Koloreto Cukalli: Në grup ka pasur edhe deputetë të partisë në pushtet dhe u kemi kërkuar që këtë punë që bëmë me gjermanët, a mund ta dërgoni. Na kanë buzëqeshur, na kanë thënë po po dhe asgjë. Qeverisë i intereson një ligj i AMA-s dhe e gjithë goditja të vij nga AMA. Nëse ti heq AMA-n nga ligji, qeveria nuk ka asnjë pikë interesi.

Denis Dyrnjaja: Po në qoftë se AMA ekzisto por me një bord që merret vetëm me këtë gjë, por nuk është vetë AMA. AMA mund të jetë autoriteti mbikëqyrës, por të krijohet një bord ekspertësh të pavarur dhe të bëjnë një vlerësim profesional.

Koloreto Cukalli: Rekomandimi i Venecias ishte i qartë: Jo AMA. AMA nuk duhet ta mbajë edhe këtë barrë mbi shpinë. Gazetarët duhet të ndërtojnë mekanizmat e tyre dhe janë duke u ndërtuar.

Denis Dyrnjaja: Kemi dy vite që kemi jetuar bashkë dhe asgjë. Do të kalojnë dhe dy vite të tjera dhe ndërkohë diskreditohen njerëz në mënyrë spekulative, shkatërrohen karriera, biznese.

Koloreto Cukalli: Unë dua t’i them të gjithë këtyre njerëzve që po u shkatërrohet jeta të ndjekin shembullin e kryeministrit. Ka dërguar 20 e ca padi për shpifje në gjykatat shqiptare dhe po i fiton njëra pas tjetrës.

Denis Dyrnjaja: Ndaj kujt?

Koloreto Cukalli: Ndaj deklaratave të thëna në media.

Iris Luarasi: Unë nuk mendoj se kjo zgjidhet duke i kërkuar një deputeti apo deputeteje të Partisë Socialiste, çfarë do të bëjmë me atë që bëmë një vit më përpara në Gjermani. Por rregullohet duke pasur një draft dhe duke e depozituar atë në Kuvendin e Shqipërisë dhe vetëm në këtë formë i lind e drejta grupit të gazetarëve për të pretenduar. Kjo nuk është gjë që zgjidhet, jo po unë të thash, ti më the. Para se të dërgohet ky draft, ka nevojë që të ndalet njëherë po gjerësisht me grupin e madh të komunitetit të gazetarëve, sepse të tërë do të duan të thonë fjalën e tyre. Këto konsultime nuk janë bërë. Nuk po bëj me faj Koloreton, se e thash dhe më parë e gjej veten po aq fajtore si anëtare e departamentit të Gazetarisë, se mund të ishin bashkuar forcat për të bërë gjëra të mira gjithsecili me burimet e veta. Nuk është e mundur në fakt aktualisht që t’i të shkosh gjithmonë në Gjykatën Civile, për të marrë kompensim sepse në Shqipëri ne e dimë shumë mirë që ka 700 portale dhe vetëm 45 janë të identifikuara. Iris Luarasi do të çojë një padi në gjykatë për portalin x, portali x nuk ka adresë dhe gjykata nuk dinë se çfarë do të ndodhë me padinë time.

Denis Dyrnjaja: Nuk kemi një paketë që t’i propozohet si alternativë qeverisë, ja ku është drafti i komunitetit të gazetarëve. Bie dakord me këtë gjë?

Koloreto Cukalli: Nuk jam dakord për dy arsye. Qeveria nuk ka lënë asnjë hapësirë për të tjerët për të kontribuar, sepse nuk të dëgjon askush. Këto bëhen në konsultë me organet vendimmarrëse.

Denis Dyrnjaja: Tryeza të hapura ka sa të duash, mblidhen grupet e interesit, debatojnë diskutojnë dhe nxirret një produkt.

Koloreto Cukalli: Denis grupet e interesit kur u bë takimi për draftet e kaluara, askush nuk u dëgjonte. S’ka vullnet politik dhe kur nuk ka vullnet

politik, s’mund të ma kërkosh mua, çfarë t’i bëj unë t’i godasë me libra.

Iris Luarasi: Kjo nuk duhet të vijë as nga qeveria as nga qeveria, politika duhet të qëndrojë larg kësaj gjëje. Kjo është një nga gjërat që duhet ta kuptojmë shumë mirë që qëndrimi i komunitetit të gazetarëve duhet të jetë absolutisht ndryshe dhe nuk duhet të ketë lidhje me politikën. Nuk më pëlqen fare kur themi se qeveria nuk na ka krijuar hapësirën. Asnjë qeveri nuk kruijon hapësirën për të kërkuar lehtësira për median, kjo është e padiskutueshme nuk ndodh vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e emancipuara. Ne na mungon një produkt që duhet të vijë nga ne, të diskutohet nga ne. Ka alternativa pa fund që ta detyrosh qeverinë dhe parlamentin që të marrë në analizë atë që ke shkruar.

Top Channel