Koronavirusi i futi “frikën në palcë”/ Lojtarët e ekipit gjerman ruajnë distancën nga kundërshtarët dhe humbasin 37 me zero

18/09/2020 17:26

Një ndeshje futbolli thuajse surreale është zhvilluar në Gjermani. Ekipi amator Ripdorf, i cili luan në një nga ligat amatore të futbollit gjerman, u “shkatërrua” duke u mundur me rezultatin 37-0, pasi lojtarët e saj ruanin distancën nga kundërshtarët sepse kishin dëgjuar që disa prej tyre ishin të infektuar me virusin korona.

Ripdorf luajti ndaj SV Holdenstedt, por ndeshja u vu në diskutim pas pretendimeve se një lojtar i Holdenstedt kishte pasur kontakte me dikë të rezultuar pozitiv me COVID-19. Megjithëse klubi i Ripdorf bëri kërkesë në federatë për të shtyrë këtë ndeshje, kërkesa e tyre nuk u mor në konsideratë dhe ata u detyruan të zbrisnin në fushë.

E veçanta në këtë ndeshje është se ata luajtën me vetëm shtatë lojtarë, pasi pjesa tjetër refuzoi të luante.

Ndërsa lojtarët që pranuan të ndesheshin me Holdenstedt u lejuan nga klubi që të ruanin distancën prej dy metrash nga kundërshtarët. Kjo mënyrë e pazakontë loje, i hapi rrugën Holdenstedt të shënonte plot 37 gola.

Top Channel