Videoanalisti, një profesion i ri në Shqipëri/ Alarico Rosi, asistenca europiane e trajnereve të Superligës

14/09/2020 17:12

Në një kohë kur kampionati vazhdon të qëndrojë i mbyllur për shkak të kërkesave të klubeve ndaj qeverisë, Kupat e Europës po afrojnë dhe vendi ynë si asnjëherë më parë ka arritur të kualifikojë 4 skuadra në këtë raund.

Alarico Rosi videoanalisti i përfaqësueses kuqezi, ka qenë një ndihmë e madhe sic pranojnë vetë trajnerët e klubeve, me punën e tij të padukshme në terren për klubet pjesëmarrëse në Europë. Në intervistën për Top Channel, ai tregon se çfarë është video analisti dhe roli i tij në stafin e një trajneri.

Alarico Rosi / shefi i departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit:

Vitin e shkuar krijuam në Shqipëri departamentin e Analizës, Skautizimit dhe Analizës dhe testi i parë zyrtar i bërë përveç ekipit kombëtarë ishin ndeshjet e Europës për klubet pjesëmarrëse shqiptare në këtë sezon. Analisti është personi që grumbullon analizon dhe finalizon të gjithë informacionin e nevojshëm që i kërkon trajneri. Pra studiohet kundërshtari, çdo lojtar në mënyrë të veçuar, mënyra e lojës, mënyra si sulmon si mbrohet dhe të gjitha këto të dhëna. Ky profesion është prej mëse 10 vitesh pjesë e futbollit modern.

Sa ndikoi ky bashkëpunim në suksesin e klubeve shqiptare në Europë?

Alarico Rosi / shefi i departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit:

Kur gjërat shkojnë mirë dhe ndeshja fitohet çdo gjë shkon mirë, por në të vërtetë puna e një analisti nuk është e lidhur me rezultatin. Sepse analisti prodhon një material që i vihet në dispozicion trajnerit për kërkesat që ai ka. Kështu që mund të them se ndikimi im në fitoren e ekipeve shqiptare mund të them që është zero, sepse vlerësimin ma bëjnë ata mua. Ata fituan për meritën e tyre. Unë jam i kënaqur që u trajnerët kuptuan rolin e një videoanalisti.

Nga kjo e hënë ka rifilluar kursi i videoanalistëve për klubet shqiptare të futbollit, një program i parashikuar në muajt e para të këtij viti por i ndërprerë për shkak të pandemisë.

Endi Tufa

Top Channel